Vitet 90’ në Shqipëri ishin një kaos total, e sidomos pas trazirave të vitit 1997, ku u krijuan shumë banda, që luftonin kundër njëra-tjetrës, e krijuan lidhje të forta edhe me pushtetin. Njëra ndër më të njohurat është Banda e Beratit të cilën e drejtonte Altin Dardha, i njohur me nofkën ‘i bukuri’.
Ky person thuhet se ka kryer 61 vrasje. Disa prej tyre thuhet se i kreu me qëllimin e vetëm, që të provonte nëse mund t’i qëllonte pasi i merrte në nishan, shkruan Reporteri.net.
“Ishte djalë i një mësuesi, nëna i punonte në kombinatin e tekstileve. Jetonte shumë thjesht, ishte një familje e mesme e Beratit. Ishte në shkollë të mesme për përpunim druri, në ndërrim të viteve filluan këto grupet e vogla në Elbasan. Dhe ky bashkohet. Pastaj babai e sjell në Tiranë dhe aty lidhet me bandën e Xhabaftëve dhe vjen nga Tirana në Berat dhe formon një grup të vogël banditësh”, tregonte mbrëmë në emsionin Opinion në TV Klan, gazetari Ferdinand Dervishi, i cili në atë kohë ishte gazetar i kronikës në mediat shqiptare, dhe i përcillte nga afër këto zhvillime.
Ai e quante vetën ‘i bukuri’, dhe historia e tij fillon si i ri, kur i ishte vardisur mbesës së shefit të policisë, të cilët më pas e morën dhe e rrahën keq, duke e tërhequr edhe zvarrë.
















