5 shtatori, Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës do të shpallet festë zyrtare.
Këshilli i Ministrave miratoi një ndryshim në ligjin “Për festat zyrtare” në vend, sipas të cilit data 19 tetor që është Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, zëvendësohet me datën 5 shtator, që është Dita e Shenjtërimit të saj.
Shenjt Tereza, por që në mbarë botën thirret “Nënë Tereza”, një grua me fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, pushtoi imagjinatën e botës me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë për të pritur me mijëra “njerëz të trotuar”.
Shenjt Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.