Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku fokusi kryesor ishte organizimi për zgjedhjet e përgjithshme të 7 qershorit dhe zhvillimet aktuale politike në vend.
Në këtë mbledhje, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka shprehur mirënjohje për deputetin Ferat Shala, i cili ka vendosur të mos kandidojë më në zgjedhjet e ardhshme, duke vlerësuar kontributin e tij shumëvjeçar në parti dhe në institucionet e Kosovës. Sipas njoftimit, Shala do të vazhdojë angazhimin e tij brenda strukturave drejtuese të partisë si anëtar i Kryesisë.
Gjatë mbledhjes është diskutuar edhe për mobilizimin e plotë të strukturave të partisë, me theks të veçantë në regjistrimin e votuesve dhe përkrahësve në diasporë.
Po ashtu, Kryesia ka vendosur unanimisht që Memli Krasniqi të udhëheqë shtabin zgjedhor dhe fushatën e Partisë Demokratike të Kosovës.
PDK ka bërë të ditur se mbetet e hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, duke theksuar se hyn në këtë proces zgjedhor me vizion të qartë, ekip të përgatitur dhe synim për t’i dhënë Kosovës drejtimin që meriton. /Lajmi.net/