Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik, se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë sekuestruar nëntë (9) automjete të cilat dyshohen se janë përfituar përmes veprës penale ‘’Mashtrimi kompjuterik’’, sipas nenit 277/K, të Ligjit nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.
Në njoftim thuhet se automjetet e sekuestruara janë të markave të ndryshme, përkatësisht: Tre vetura të tipit Seat Leon, dy Volkswagen Polo, një Golf 8, një Audi A6, një Volkswagen Jetta dhe një Peugeot 2008 Allure.
Më tutje thuhet se Prokurori i Shtetit, ka lëshuar urdhër për ndalim të përkohshëm të kësaj pasurie, me qëllim sigurimin e saj deri në përfundim të procedurës penale./Indeksonline/