Shqipe Mehmeti-Selimi kujton 28 Nëntorin nga Haga: Rroftë UÇK-ja dhe kombi shqiptar!
Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshortja e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rexhep Selimi, ka shënuar 28 Nëntorin me një mesazh përkujtimor, duke rikthyer në kujtesë edhe 29-vjetorin e daljes publike të UÇK-së.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka kujtuar momentin historik kur Rexhep Selimi, së bashku me Mujë Krasniqin dhe Daut Haradinajn, u shfaqën publikisht si përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kohën kur shqiptarët po përballeshin me regjimin serb.
Me këtë rast, Mehmeti-Selimi ka theksuar se këtë përvjetor po e kujton me krenari nga Haga, ku bashkëshorti i saj po mbahet në paraburgim në kuadër të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në mesazhin e saj, ajo ka përmendur edhe figura të rëndësishme të historisë shqiptare, si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali dhe Adem Jashari, duke vënë në pah rëndësinë e 28 Nëntorit për identitetin dhe historinë kombëtare.

Lexo edheMitrovica ia jep lamtumirën e fundit intelektualit Adem Ademi
“Rroftë 28 Nëntori! Rroftë UÇK-ja! Rroftë kombi shqiptar!”, ka përfunduar ajo urimin e saj. /Lajmi.net/




