Shkrimtari Kim Mehmeti ka goditur fort, duke e krahasuar kryeministrin Edi Rama me “yllin” e muzikës rapsodike popullore Linda Morina e njohur për hitin e saj “Unë jam bomba”.
Këtë opinion të tij, Kim Mehmeti, shkrimtarit shqiptar nga Maqedonia, i ardhur në Tiranë për panairin e librit, e ka shprehur në një intervistë për Ora Neës.
“Kryeministri i mëmëdheut tonë është Linda Morina sepse më të rëndësishme ka spektaklin, veshjen, të merret me kazanin, gatim i të cilit është edhe vetë”, ka thënë Mehmeti duke nënvizuar se duke qenë sipërfaqësor ai nuk ngre pyetjet që i interesojnë mbarë kombit shqiptar.
“Kur vjen kryeministri i Shqipërisë në Maqedoni shkon takohet me kryetarin e BDI-së e PDSH-së. Hanë një drekë në Shkup, një drekë në Tetovë dhe kthehet në Shqipëri se shqiptarët janë në rregull. Kur vjen Kryetari i Serbisë në Kosovë, takohet me zyrtarët që është rregull, takohet me një prift me intelektualët. Kur kryeministri i Shqipërisë ka ardhur në Maqedoni dhe është takuar edhe me ndonjë intelektual shqiptar që të informohet”, ka kujtuar Mehmeti duke përmendur se Tirana zyrtare është kujdesur e fundit për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve.

