Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka vlerësuar se sektori i energjisë elektrike në vend ndodhet në një gjendje të rënduar dhe të jashtëzakonshme.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, e cila po mbahet për diskutimin mbi çmimet dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët, Shala ka thënë se qytetarët po përballen me një barrë të padrejtë financiare, raporton lajmi.net
“Grupi Parlamentar i PDK-së ka thirrur këtë seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth situatës së përgjithshme energjetike. Kemi përcjell në vazhdimësi si GP, gjithë situatën e këtij vendi të energjisë, kemi përcjell mënyrën e menaxhimit dhe shkallën e investimeve në këtë sektor, kemi përcjell dhe nxjerr rezultate profesionale të mbështetura në raporte zyrtare. Tashmë kemi ardhur në përfundim jo vetëm ne si Grup Parlamentar, por edhe shoqëria civile dhe opozita në tërësi që qytetarët po e paguajnë një taksë jomeritore, dhe se sektori energjetik është në situatë të jashtëzakonshme të rënduar në çdo dimension”, tha Shala./Lajmi.net/