Semaforët në Prishtinë marrin “dritë jeshile”, Rama synon trafik më të qetë në kryeqytet

Problemet e shpeshta me semaforët në kryeqytet pritet të marrin një zgjidhje më të qëndrueshme, kjo pasi komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga kryetari Përparim Rama, ka lidhur kontratë për mirëmbajtjen e semaforëve, shkruan IndeksOnline.
Sipas njoftimit nga E- prokurimi, kontrata “Mirëmbajtja e Semaforëve për Komunën e Prishtinës”, është finalizuar me marrëveshje, ndërsa qëllimi i saj është mirëmbajtja e rregullt e pajisjeve semaforike, në përputhje me paramasën dhe specifikimet teknike të përcaktuara.

Në muajt e fundit, në rrugët e Prishtinës janë parë edhe semaforë të rinj dhe pajisje shtesë në disa pika të kryeqytetit, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe menaxhimit më të mirë të trafikut.
Sipas njoftimit tw publikuar nga E- prokurimi, vlera e parashikuar e kontratës ishte 150,000 euro.
Megjithatë, kontrata është dhënë për një vlerë dukshëm më të ulët.

Lexo edheSadiku: LDK duhet të dallojë nga autokrati Kurti dhe ta ruajë demokracinë e brendshme

Tenderin e ka fituar Grupi i Operatorëve Ekonomikë “Bahri Asllani; Lasemaforica s.r.l.”, ndërsa vlera e përgjithshme e kontratës është 18,990.20 euro, transmeton IndeksOnline.
Kontrata përfshin mirëmbajtjen e semaforëve sipas kërkesave dhe specifikimeve teknike të përcaktuara nga autoriteti kontraktues.
Me kontratën e re, Komuna synon që problemet teknike të semaforëve të identifikohen dhe të trajtohen në kohë, në mënyrë që qytetarët të kenë më pak pengesa gjatë lëvizjes nëpër kryeqytet./IndeksOnline/














