Selektori Shabani shpall listën e lojtareve për ndeshjet me Finlandën

Përzgjedhësi i Kosovës, Agron Shabani, e ka shpallur të mërkurën listën e hendbollisteve të ftuara për ndeshjet me Finlandën.
Në kuadër të fazës së dytë dhe të fundit kualifikuese për Kampionatin Evropian 2026, Kombëtarja jonë i luan në fillim të marsit dy ndeshje me Finlandën.
Ndeshja e parë është më 5 mars nga ora 17:30 në Vantaa të Finlandës, ndërsa e dyta më 8 mars nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Grumbullimi i Kombëtares bëhet të dielën në Prishtinë, ndërsa të mërkurën e javës së ardhshme është udhëtimi për në Finlandë.
Selektori Shabani ka ftuar 16 lojtare për këtë grumbullim.

Lexo edheKOK miraton bursat “Shpresat Olimpike 2026”, 46 sportistë përfitojnë mbështetje financiare
Në Kombëtare janë kthyer Dafina Mustafa, Yllka Shatri e Melisa Mulaj.
Ndërkohë emra të rinj janë lojtaret e Kombëtares U19, Vanesa Kastrati, Aulona Maloku dhe Albina Pllana.
Në Kombëtaren tonë është duke u bërë ndërrimi i gjeneratës dhe ftesa për lojtaret e reja i shërben këtij qëllimi.
Kombëtarja jonë i ka luajtur tashmë dy ndeshje në këto kualifikime. Është mposhtur nga superfuqia, Franca, dhe nga Kombëtarja cilësore e Kroacisë. Dy humbje i ka edhe Finlanda, kështu që ndeshjet e marsit pritet të vendosin për vendin e tretë në grup. Edhe prej vendit të tretë është i mundshëm kualifikimi në Evropian.















