SBASHK kërkon të zbritet mosha e pensionimit për mësimdhënës

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka kërkuar që mësimdhënësit në moshën 60 vjeçare të pensionohen. Kërkesa përfshin rastet e mësimdhënësve që janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po punojnë pa pasur mundësinë e pensionimit të parakohshëm. Kjo sindikatë ka njoftuar se kërkesa është emergjente të plotësohet, duke i bërë thirrje qeverisë që të zbatoj këtë kërkesë nëse vërtetë qëllimi është që të ketë cilësi në arsim, raporton Zëri.info
“Qeveritarët nuk kanë bërë asgjë për mësimdhënësit e sëmurë rënd. A mund të flitet për humanizëm të qeveritarëve lokalë e qendror kur ata nuk bëjnë asgjë për këta njerëz, që sa ishin shëndosh u munduan me tërë dijen të kontribuojnë për arsimimin dhe edukimin e brezave e tani me hapin e rënduar nga sëmundja shkojnë në shkollë se ndryshe do të mbesin pa bukën e gojës. Nuk janë shumë në numër këta njerëz dhe shteti me pak angazhime do të siguronte mjete e do t’i dërgonte në pushim të merituar duke ua siguruar një pension të dinjitetshëm”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Rrahman Jasharaj kryetar i SBASHK-ut ka thënë në emër të sindikatës se disa për poenë politik e disa për të fituar edhe ndonjë projekt nga ndërkombëtarët, gjendjen në arsim e kanë paraqitur me ngjyrat më të zeza aq sa një pjesë e prindërve, sipas tij respektin e lartë që kishin ndaj mësuesit të fëmijëve të tyre kanë filluar ta zëvendësojnë me urrejtje.

“Subjektet politike që ishin në pushtet, qoftë në nivelin lokal apo qendror, arsimin e shpallnin prioritetet, por vazhdonin ta përdornin për të larë borxhin ndaj atyre që kishin vrapuar anë e kënd vendit për të siguruar vota duke i qerasur me pozita drejtorësh të shkollave”, ka thënë Jasharaj . Për ta ngritur cilësinë dhe për të qenë të gatshëm mësimdhënësit të ecin në hap me zhvillimet e hovshme teknologjike, ai thotë se shteti duhet ta ndërrojë qasjen ndaj arsimit dhe duhet përfillur kërkesa e SBASHK-ut që punëtorët e arsimit, siç shprehet Jasharaj “që janë të goditur nga sëmundje të rënda të lirohen nga procesi arsimor dhe t’u jepen pensione dinjitoze”.

Lexo edhe16-vjeçarja e pranon fajin për vrasjen e 7-vjeçares
Ai thekson se këta njerëz shkojnë në shkollë sa për ta ruajtur vendin e punës dhe pagën. Por megjithëkëtë thotë se ndihen në siklet që pas dekadave të punës së përkushtuar sëmundja e rënd nuk i lë të japin kontributin e tyre dhe shpesh edhe bëhen objekt talljeje nga një pjesë e nxënësve apo objekt ofendimi nga prindërit. Jasharaj thotë se sot këtyre mësimdhënësve, kur sëmundja i ka rrënuar, u duhet dora e shtetit. “U duhet ndihma që të jetojnë të qetë e të ndjehen mirë sepse dikush po mendon për ta”.
Prandaj për ta ngritur cilësinë në arsim, në emër të sindikatës Jasharaj kërkon që edhe të zbritet mosha e pensionimit në mënyrë që mësimdhënësit në moshën 60 vjeçare t’i lënë lamtumirën shkollës dhe të gëzojnë një pension meritor e në vend të tyre të vijnë kuadro të reja që në Kosovë, sipas tij ka mjaft dhe janë duke pritur me vite për të gjetur një vend pune.
“Gjithë këto çështje i ka ngritur tani e sa kohe SBASHK-u. Qeveritë lokale e ajo qendrore mund të thonë se këto veprime kushtojnë, por ata duhet të kenë qasje të drejtë ndaj arsimit dhe të kuptojnë se sado buxhet i lartë që i dedikohet arsimimit të gjeneratave , ato mjete nuk janë shpenzime kot , po janë investime për të ardhmen e këtij vendi. Është bërë ironik e bajat deklarimi ‘Arsimi është prioritet për shtetin. Duhet veprime dhe investime konkrete’”, thuhet në fund të reagimit të kryesisë së SBASHK-ut. /Zëri.info














