Në anën tjetër, drejtësia vendore asnjëherë nuk ka dëshmuar se është e gatshme të marrë guximin për të trajtuar rastet e njerëzve të fortë të pushtetit e politikës dhe oligarkëve. Andaj shtrohet pyetja se sa është në gjendje sistemi i drejtësisë të veprojë i pavarur, pa ndihmën e EULEX-it, dhe a do guxonte Prokuroria e Kosovës që t’i arrestonte njerëzit e fortë të politikës, kurse drejtësia t’i dënonte ata për afera korruptive dhe krim të organizuar.
Për këtë çështje dhe atë se nëse duhet apo jo t’i vazhdohet edhe për një periudhë disavjeçare mandati këtij misioni flasin njohësit e kësaj fushe. Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet, nga LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se misioni i EULEX-it i duhet Kosovës edhe për disa vjet, madje jo vetëm në rolin monitorues dhe këshillëdhënës, por siç ka thënë ai një mision që zbaton ligjin dhe jo një mision i korruptuar dhe i dështuar.