Rummenigge hap dyert e largimit, e ardhmja e yllit gjerman në pikëpyetje

E ardhmja e Jamal Musialës te Bayern Munich po shoqërohet me gjithnjë e më shumë pikëpyetje. Ajo që duhej të ishte një lajm i mirë për bavarezët, rikthimi i talentit gjerman në fushën e blertë, është shoqëruar me deklarata shqetësuese nga drejtuesit e klubit.
Musiala u rikthye në aksion të premten mbrëma, në përballjen ndaj Kolnit, e cila përfundoi me rezultat 1-1. 23-vjeçari u aktivizua në minutën e 70-të, duke regjistruar paraqitjen e tij të parë pas një periudhe të gjatë mungese për shkak të problemeve fizike.
Megjithatë, pas ndeshjes, Karl-Heinz Rummenigge, një prej figurave më të rëndësishme të historisë së Bayern-it, bëri deklarata që kanë ngritur pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e futbollistit.
“Jamal ka një problem shëndetësor. Gjithashtu, dihet mirë se ai ka një kontratë që përfshin shuma shumë të mëdha parash. Si klub, duhet të mendojmë se si ta trajtojmë këtë situatë. Kjo është diçka normale për një klub në rrethana të tilla”, deklaroi Rummenigge për Sky Germany.
Ai shkoi edhe më tej, duke pranuar se në klub ekziston shqetësimi nëse Musiala do të arrijë të rikthehet në nivelin që e kishte para problemeve shëndetësore.
“Fatkeqësisht, nga ajo që dimë, duket se do të jetë e vështirë për të që të rikthehet në nivelin që ka treguar në të kaluarën. Duhet të bisedojmë me agjencinë e tij dhe më pas të marrim një vendim”, u shpreh ai.
Rummenigge nuk e përjashtoi as mundësinë e rishikimit të situatës financiare të futbollistit, duke theksuar se kontrata e tij përmban shifra të konsiderueshme dhe se klubi duhet të marrë parasysh edhe pasojat ekonomike.
Megjithatë, ai bëri të qartë se Bayern-i dëshiron që Musiala të rikthehet në formën e tij më të mirë dhe të vazhdojë të jetë pjesë e projektit të klubit.

Lexo edheCity i jep fund serisë së humbjeve, por ndalet në barazim ndaj Fulhamit
Në anën tjetër, trajneri Vincent Kompany ka shprehur mbështetjen e tij për futbollistin, duke theksuar se detyra e klubit është të besojë te lojtarët dhe t’i ndihmojë ata të arrijnë potencialin e tyre.
Edhe drejtori sportiv Max Eberl ka dalë në mbrojtje të Musialës, duke dhënë një mesazh të qartë:
“Jamal-i është, para së gjithash, një qenie njerëzore. Ai e meriton mbështetjen tonë maksimale çdo ditë.”
Këto deklarata tregojnë se brenda Bayern-it ekzistojnë qëndrime të ndryshme sa i përket mënyrës se si duhet trajtuar situata e yllit gjerman.
Por dëmtimet dhe problemet shëndetësore të muajve të fundit kanë ndryshuar situatën. Në vitin 2025, ai pësoi një lëndim serioz në Kupën e Botës për Klube, ndërsa gjatë vitit 2026 është përballur edhe me probleme të tjera që kanë ndikuar në vazhdimësinë e tij.
Për momentin, nuk ka një vendim zyrtar për largimin e tij. Bayern-i pritet të vlerësojë gjendjen dhe ecurinë e futbollistit në javët në vazhdim, përpara se të marrë vendime për të ardhmen./IndeksOnline/





