Rritet në 80 numri i të vdekurve nga sulmi me bombë në Kabul

Është rritur në 80 numri i të vdekurve si rezultat i sulmit me bombë në rajonin Vezir Ekber Han, ku gjenden edhe përfaqësitë diplomatike, në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, raporton Anadolu Agency (AA).
Këshilltari për media i Ministrisë së Shëndetësisë, Vahidullah Maxhruh, në një deklaratë për AA theksoi se nga sulmi kanë humbur jetën 80 persona, ndërsa janë plagosur 350 të tjerë, shumica e të cilëve civilë.
Ndërsa zëdhënësi i ministrisë Naxhib Danish theksoi se sulmi është kryer përmes një bombe të vendosur në tanker uji.
Shpërthimi në rajonin Vezir Ekber Han, është ndierë në të gjitha anët e kryeqytetit. Shumica e ndërtesave në rajon janë dëmtuar, kurse rreth 30 automjete kanë marrë flakë. Policia ka mbyllur rrugët që çojnë në rajon.
Lexo edheVuçiq bën betimin
Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë njoftoi se në zonën e sulmit gjendet Ambasada e Gjermanisë, ku disa punonjës të ambasadës janë plagosur, ndërsa punonjësi i sigurisë së Afganistanit ka humbur jetën.
Ndërkaq, në afërsi gjendet edhe Ambasada e Turqisë, në të cilën, siç mësohet, nuk ka pasur viktima apo humbje materiale, por vetëm dëme të vogla në dritare dhe mure.














