Rikthimi në LDK, a i humb beneficionet si ish-presidente Vjosa Osmani në rast se qëndron si deputete?

Pas marrëveshjes së arritur me LDK-në për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, Osmani u rikthye në shtëpinë e saj të vjetër politike – duke udhëhequr listën zgjedhore të LDK-së.
Marrëveshja me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, u paraqit nga të dyja palët si një përpjekje për bashkimin e spektrit politik që dikur përfaqësonte Osmani, pas viteve të ndarjes së saj me këtë subjekt, raporton lajmi.net
Ndonëse synimi i saj mbetet sigurimi i një mandati të dytë në postin e presidentes, Vjosa Osmani tashmë ka siguruar votat e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës si deputete nga radhët e LDK-së.
Pikërisht ky rikthim i mundshëm në një funksion tjetër publik ka ngritur edhe dilema lidhur me beneficionet që i takojnë pas përfundimit të mandatit presidencial. Në këtë rast, shtrohet pyetja nëse Osmani mund të vazhdojë të përfitojë të drejtat financiare të parapara për ish-presidentët, nëse njëkohësisht ushtron mandatin e deputetes në Kuvendin e Kosovës.
A e ruan Vjosa Osmani të drejtën për përfitimet financiare që parashihen për ish-presidentët tashmë si deputet e zgjedhur apo merr një post tjetër shtetëror?
Për këtë temë ka folur njohësi i çështjeve juridike, avokati kosovar, Ardian Bajraktari, në një prononcim për Lajmi.net, ai theksoi se përfitimet financiare të ish-presidentëve nuk duhet të interpretohen si mundësi për përfitim të dyfishtë nga fondet publike, duke iu referuar edhe praktikave të deritanishme institucionale në raste të ngjashme.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, pas përfundimit të mandatit të rregullt, gëzon të drejta dhe beneficione të përcaktuara me ligj. Këto përfshijnë edhe përfitimin financiar, përkatësisht pensionin në shumën prej 70% e pagës të cilën e merr Presidenti i Republikës së Kosovës. Mirëpo, këto të drejta veçmas përfitimet financiare, nuk duhet parë si mundësi për të përfituar njëkohësisht nga dy burime publike financimi, bazuar edhe në praktiken e deritashme institucionale për raste të tilla”, tha Bajraktari për Lajmi.net.

Lexo edhe“Jam vonë”, Kurti shmang përgjigjen për hapat pas certifikimit të rezultateve zgjedhore
Ai shtoi se në rast se një ish-president zgjidhet ose emërohet në një detyrë tjetër publike, atëherë shtrohet çështja e papajtueshmërisë së përfitimeve financiare që rrjedhin nga dy funksione të ndryshme të financuara nga shteti.
“Prandaj, nëse një ish-President zgjedhet apo emërohet në një funksion tjetër publik, siç është mandati i deputetit, atëherë lind çështja e papajtueshmërisë së përfitimeve, dhe ai/ajo duhet të zgjedhë cilin nga kompensimet do t’i përfitoi, sepse nuk mund të ketë në të njëjtën kohë pagën për funksionin e ri publik dhe përfitimin financiar të ish-Presidentit”, u shpreh ai.
Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit u mbajtën pasi legjislatura paraprake dështoi të votonte një president të ri brenda afatit kushtetues, pasi Vjosa Osmanit i skadoi mandati pesëvjeçar në prill.
Për çështjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota – apo dy e treta e deputetëve – në dy rundet e para të votimit, dhe presidenti i ri do të mund të zgjidhej me 61 vota në rundin e tretë./Lajmi.net/














