Një 33-vjeçar ka vdekur në Suharekë pas një aksidenti të ndodhur sonte, pasi ra nga pema e një qershie me lartësi diku 6 metra.
Lajmin për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Ai tha se policia është njoftuar nga Emergjenca e Suharekës se F.B., rreth 33 vjeç, është transportuar me autoambulancë nga shtëpia e tij në fshatin Leshan, Komuna e Suharekës, pas një rënieje nga një pemë qershie nga një lartësi rreth 5–6 metra.
Fillimisht ai është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ndërsa më pas është transferuar në QKUK – Prishtinë, ku rreth orës 21:15 është konstatuar vdekja e tij.
Në vendin e ngjarjes dhe në institucionet shëndetësore kanë dalë njësitë relevante policore dhe hetuesit kompetentë, të cilët në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë iniciuar rastin “Hetim i Vdekjes”.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.