Quni iu bën apel për pajtim Abdixhikut me Muhaxherin e Ahmetin: Është koha e afrimit të njëri tjetrit dhe jo e largimit

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Anton Quni ka reaguar në lidhje me kërkesat që Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti i LDK-së i kanë drejtuar kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhikut për dorëheqje.
Quni përmes një postimi në Facebook, ka thënë se shtëpia politike e LDK-së ka qenë dhe mbetet shtylla e shtetndërtimit dhe e demokracisë në Kosovë.
Ai ka thënë se forca e tyre nuk buron nga mungesa e debateve apo e mendimeve ndryshe, por nga aftësia e jashtëzakonshme për t’i tejkaluar ato me maturi dhe respekt reciprok.
“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për unitet të plotë. Kemi nevojë të bëhemi shembulli më i mirë se si çdo pakënaqësi, çdo dallim dhe çdo sfidë e zgjidhim brenda familjes sonë – brenda shtëpisë së madhe të LDK-së. Vendi i bashkimit është tryeza jonë e përbashkët e bisedimit dhe e mirëkuptimit, ku interesat e shtëpisë sonë qëndrojnë gjithmonë mbi çdo interes tjetër. Unë jam plotësisht për bashkëpunimin e ngushtë mes Lumirit, Gazit, Imriut dhe secilit koleg e veprimtar që i rreh zemra për rrugëtimin tonë”, ka shkruar Quni.
Ai ka thënë se është koha e afrimit të njëri tjetrit dhe jo e largimit.

Lexo edheDega e LDK-së në Klinë i jep mbështetje Lumir Abdixhikut: Ne duhet të ulemi dhe këto çështje t’i diskutojmë brenda shtëpisë
”Secili prej nesh ka një kontribut të jashtëzakonshëm dhe vend të pacenueshëm në këtë strukturë, prandaj asnjë dallim nuk guxon të jetë më i madh se qëllimi ynë i përbashkët. Ju ftoj të gjithëve të më punojmë për pajtim, duke lënë anash çdo gjë që na ndan; për bashkim, duke u rreshtuar rreth vlerave tona të përbashkëta; dhe për urtësi, duke dëshmuar pjekurinë politike që e ka karakterizuar gjithmonë LDK-në. Vetëm të bashkuar, me urtësi dhe me besim tek njëri-tjetri, mund të jemi udhërrëfyesi dhe forca që i duhet vendit tonë. Na priftë e mbara!”, ka shtuar Quni. /Lajmi.net/
Postimi i plotë:














