Qeveria s’e ka ndërmend ta ndalë luksin as vitin e ardhshëm

Vetëm 100 milionë euro më shumë se buxheti i 2018-ës janë në buxhetin e 2019-ës nga të hyrat e brendshme.
Pjesa tjetër e buxhetit prej 2 miliardë e 370 milionë eurosh, do të mbulohet nga fondet e likuidimit dhe emetimit të letrave me vlerë, raporton KTV.
Por, sipas analistit financiar, Hekuran Murati, shuma e përgjithshme e buxhetit është arritur nga mosshfrytëzimi i mjeteve që ishin ndarë për vitin 2017.
Kurse, rritja e të hyrave nga ATK-ja dhe ulja e të hyrave nga dogana, thonë se është shenjë e mirë për zhvillimin ekonomik.
E, përveç rritjes së shpenzimeve për paga, ashtu siç është vepruar viteve të kaluara, pjesa më e madhe e buxhetit do të jetë e destinuar në mallra dhe shërbime.
Madje, për këtë kategori buxheti është rritur për 71 milionë euro.
Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Financave, në rritjen e shpenzimeve të kësaj kategorie nuk ka ndikuar rritja e numrit të punëtorëve.
Luksi për vetura e orendi prapë nuk do të ndalet, pasi mijëra euro do të shkojnë për këtë kategori.

Lexo edheUrimi i të bijës për mandatin e katër të Tërnavës në BIK
Madje, 300 mijë euro janë ndarë për blerje të veturave për të gjitha ambasadat, 100 mijë të tjera për MPJ-në, 81 mijë për UP-në, e 24 mijë për Gjakovën.
E, sërish do të ketë investime në ndryshimin e enterierit në disa institucione.
Për zonat ekonomike, për të cilat u vlerësua se nuk do ketë ndikim ekonomik, Qeveria ka ndarë hiç më pak se 2 milionë e 400 mijë euro.
Një shpenzim i buxhetit prej miliona eurosh do të shkojë për mirëmbajtjen e autostradave dhe rrugëve rajonale.
Madje, autostrada Morinë-Merdare, e cila ishte pre e vjedhjeve të shumta, pritet edhe të ndriçohet me 700 mijë euro.
Ligji për Prishtinën dhe ai për Obiliqin do t’i konsumojnë buxhetit të shtetit gjithsej 15 milionë euro.














