Qeveria Haradinaj ka 58 zëvendësministra, a e dini sa para harxhohen për pagat e tyre
Është themeluar për inovacion por ministria e Besim Beqajt nuk ka as ëebfaqe në internet. Megjithëkëtë, kjo ministri ka zëvendësministër, që është emëruar të martën nga radhët e PDK-së.
Bujar Cakolli është vetëm një nga 58 zëvendësministrat e emëruar deri tash nga kryeministri Ramush Haradinaj, raporton KTV.
Lista e gjatë e atyre që janë rehatuar në këtë pozitë të lartë shtetërore do të vazhdojë.
Bazuar në të dhënat online dhe disa ministri që kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KTV-së, aktualisht më së shumti zëvendësministra ka ajo e Arsimit.
Muharrem Nitaj, Arbër Geci, Bajrush Sezairi, Mustafë Myrtaj e Heset Sahiti janë zëvendësit e Shyqiri Bytyqit të Nismës për Kosovën.Sipas të dhënave të deklarimit të pasurisë, një zëvendësministër paguhet me rreth 1 mijë e 100 euro pagë bazë. 58 zëvendësministrat dhe nga 2 punëtorë administrativë të tyre u kushtojnë taksapaguesve të Kosovës më shumë se 110 mijë euro në muaj.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 18 për qind e popullsisë jeton në varfëri të plotë me vetëm 1.82 euro në ditë, kurse 5.2 për qind në varfëri ekstreme me vetëm 1.30 euro në ditë.
Lexo edheZyrtare: Vetëvendosje dhe AKR bëhen bashkë në Prishtinë
Shumë prej zëvendësministrave janë emëruar pas dështimeve që të zgjidhen kryetarë komunash, siç është rasti i Fatmir Gashit të AAK-së në Pejë, Faruk Nurës në Viti e Heset Sahitit të Nismës në Lipjan.
Haradinaj ka rreth 60 ditë në pozitën e kryeministrit, derisa qeveria e tij është karakterizuar me rritje në përgjithësi të pozitave të saj. Pos kësaj, Qeverisë së Kosovës i janë shtuar ministritë e zëvendëskryeministrat me ardhjen e Haradinajt në krye të saj.
281 është numri total i të punësuarve në kabinetin qeveritar të Ramush Haradinajt. Zyra e tij për media ka konfirmuar se emërimi i zv.ministrave nuk ka përfunduar dhe priten emërime të reja, siç është thënë në këtë përgjigje, në dikastere ku është e nevojshme.
Me një herë më shumë banorë se Kosova, shteti fqinj Shqipëria ka vetëm 13 ministri e një zëvendëskryeministre.














