Qendra e Gruas në Drenas falënderon kryeparlamentarin Veseli

Valdete Idrizi, këshilltare e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot gratë dhe vajzat në Qendrën për promovimin e grave në Drenas.
Në emër të kryetarit Veseli, këshilltarja Idrizi përgëzoi gratë e këtij rajoni për punën e tyre të shkëlqyer në prodhimin e artizanaleve të ndryshme, duke u bërë kështu shembull i vetëpunësimit dhe punës së përbashkët.
“Me duart e juaja të arta keni prodhuar këto punëdore shumë unike dhe të shkëlqyeshme. Jam e lumtur që ne, si Kuvend i Kosovës, kemi pasur mundësi që të përkrahim këtë qendër dhe gratë që vuajtjet e luftës i kanë kthyer në forcë për gjeneratat e reja”, theksoi Idrizi.
Ajo tha se drejtuesja e kësaj qendre, Kadire Tahiraj, me lidershipin dhe kolektivin e saj të shkëlqyeshëm, vazhdon të mbetet inspirim për shumë gra e vajza në Kosovë e përtej.
Znj. Idrizi, në emër të kryetarit Veseli falënderoi znj. Tahiraj për punën e saj të palodhshme.

Lexo edheLladrovci priti në takim Kolonel Daniele Bajta
Më pas, po në emër të kryetarit, Idrizi ndau certifikatat për gratë që kishin vijuar trajnimin.
Znj. Tahiraj, ndërkaq, falënderoi Kuvendin dhe kryetarin Veseli për mbështetjen e pakursyer për gratë e Drenasit dhe për iniciativat ndërmarrëse në gjithë Kosovën.














