Protestat në Venezuelë, nis një manovër e madhe ushtarake

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro urdhëroi nisjen e një manovre ushtarake të cilën e vlerësoi si më të rëndësishmen në historinë e vendit, e cila aktualisht është goditur nga një krizë e thellë politike, raporton Anadolu Agency (AA).
Manovra e madhe ushtarake e forcave venezuelase do të zgjasë deri të premten.
“Duhet të përgatitemi për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së Venezuelës”, tha Maduro në adresimin e tij para ushtarëve në bazën Guaicaipuro në provincën Miranda.
Duke potencuar se Venezuela ka luftuar për ruajtjen e sovranitetit për dy shekuj, Maduro tha se ushtria dhe populli janë gati të qëndrojnë në mbrojtje të shtetit dhe nderit.
Maduro mbrëmë porositi presidentin e SHBA-së Donald Trump të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Venezuelës.

Lexo edheKy djalë provoi të lëshohet nëpër kulm, por diçka shkoi fort keq (VIDEO)
Venezuela është prekur nga protestat që nga 10 janari, kur presidenti Nicolas Maduro dha betimin për mandatin e dytë pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga opozita.
Tensionet u përshkallëzuan, kur kreu i opozitës Juan Guaido më 23 janar shpalli veten si ushtrues detyre të presidentit, i mbështetur nga SHBA-ja dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine.
Rusia, Turqia, Kina, Irani, Bolivia dhe Meksika mbështesin Maduron.














