Prokuroria: Një person dërgohet në spital, shtohen masat për shuarjen e zjarrit në deponinë e Sferkës

Një person është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa disa të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore në vendngjarje, si pasojë e situatës së krijuar nga zjarri në deponinë e mbeturinave në Sferkë, ku po zhvillohen edhe protesta.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar Policia e Kosovës, ekipet emergjente dhe zjarrfikësit.
Prokurori i Shtetit ka kërkuar shtimin e masave dhe angazhimin e ekipeve shtesë të zjarrfikësve, me qëllim lokalizimin sa më të shpejtë të zjarrit.
Ndërkohë, Prokuroria ka bërë të ditur se menjëherë pas shpërthimit të zjarrit në këtë deponi javën e kaluar, përveç Policisë së Kosovës, ka autorizuar edhe një ekspert të zjarreve për të përcaktuar shkaqet e tij.

Lexo edheShBA nis sulme të reja ndaj Iranit
Eksperti pritet të dorëzojë raportin me të gjeturat në Prokurori. Nëse konstatohet se zjarri është shkaktuar nga faktori njerëzor, Prokuroria thotë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për identifikimin dhe arrestimin e personit ose personave përgjegjës.














