Prokuroria e Prizrenit ngrit aktakuzë ndaj një fajdexhiu

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.K., i cili gjenden nën masën e paraburgimit nga data 13.03.2025, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Fajdeja”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri E.K., që nga muaji korrik i vitit 2023 dhe në vazhdimësi, përkatësisht deri më 06.03.2025 për vete apo për personin tjetër pranon dhe kontrakton shuma dukshëm jo-proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të tillë, papërvojën dhe paaftësinë e tij për të gjykuar.
Duke filluar nga muaji korrik i vitit 2023, ia jep viktimës V.Q., shumën e të hollave prej 5,000.00 € për të cilën shumë e ngarkon viktimën me 15% kamatë, pra duke e obliguar atë t’ia kthejë 6,000.00 €, duke vazhduar më tej, brenda një kohe të shkurtër, ia jep viktimës edhe dy herë nga 10,000.00 €, për të cilat të holla e ngarkon të njejtin me 20% kamatë, praktikisht duke e obliguar atë t’ia kthejë 24,000.00 €.
Menjëherë pas kësaj, viktima sërish pranon nga i pandehuri shumën e të hollave prej 25,000.00 €, të cilën shumë për shkak të vonesave disa ditore në pagesa, është detyruar ta paguajë në total shumën prej 40,000.00 €, për të cilën më pas ka vazhduar të paguajë nga 6,000.00 € kamatë për muaj, me ç’rast aktualisht shuma e detyrimit prej 40,000.00 € ka arritur vlerën prej 51,000.00 €.
Përveç kësaj, ai pajtohet që nga i pandehuri ta blejë edhe një veturë, të cilën pas tre muajve do ta paguante 38,000.00 € për blerjen së cilës ia paguan të pandehurit këstin e parë prej 8,000.00 €, mirëpo pavarësisht se i pandehuri ia pranon pagesën e shumës, ia merr sërish dhunshëm veturën, madje duke e obliguar atë që t’ia paguajë shtesë edhe 6,000.00 € të tjera me justifikimin se viktima e kishte shfrytëzuar veturën për një kohë të shkurtër

Lexo edheSot përpjekja e 48’të, qytetari me uniformë të UÇK-së proteston para Kuvendit: Të largohen uzurpatorët
Përveç tjerash, viktima me qëllim që t’i rikuperojë humbjet financiare, është detyruar që të hedh në shitje edhe dy banesa të tij, me ç’rast i pandehuri ka arritur t’i shkaktojë viktimës humbje financiare rreth 100,000.00 € nga të cilat humbje, viktima vazhdon t’i detyrohet të pandehurit edhe 48,000.00 € të tjera.
Pas arrestimit të të pandehurit dhe zbatimit të urdhër-kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të tij, policia ka sekuestruar një shumë të të hollave prej 8,985.00 €; 580.00 CH; 1,000.00 $ dhe 17,700.00 lekë shqiptare, si dhe një veturë për të cilat prova, ekziston dyshimi i bazuar mirë se janë dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.














