Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare: Pas intervistimeve, priten akuzat nga Gjykata Speciale
Pas intervistimit të personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale të krimeve të luftës, Zyra e Prokurorit Special me seli në Hagë, në rast se i vërteton dyshimet si të bazuara, atëherë mund të ngreh akuzat ndaj të dyshuarve, thotë Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale Ndërkombëtare.
Sipas tij, duke u bazuar në rrjedhën e punës së Dhomave të Specializuara, që njihet si Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë, sidomos në dy muajt e fundit, procedura e gjykimit të personave të dyshuar do të fillojë së shpejti.
Salihu, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se nuk do të ketë interferime politike ndaj kësaj gjykate dhe se askush i pafajshëm, nuk do të dënohet nga kjo gjykatë.
Profesor Salihu, Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, ka ftuar më shumë se 40 persona për t’i intervistuar, qoftë si dëshmitarë apo të dyshuar për krimet e pretenduara të luftës në Kosovë, prej janarit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Cilat janë procedurat pas intervistimit?
Salihu: Procedurat pas intervistimit të personave të ftuar si të dyshuar janë përafërsisht standarde sikurse procedurat e kodeve penale vendore. Nëse pas intervistimitadministrohen prova dhe fakte të mjaftueshme, të cilat gjykatën e bindin se ka bazë për të dyshuar me bazë, që kanë qenë fajtor për kryerjen e veprave penale, atëherë ngrihet akuza. Kjo është faza e parë.
Lexo edheAkuza për vrasje ndaj nënës, hodhi fëmijën për toke derisa po përleshej fizikisht me një grua
Ndërsa dëshmitarët ftohen sipas standardeve, sipas rregullave të cilat janë të përcaktuara dhe të ndërtuara në kodet penale të shteteve veç e veç, siç është edhe Kodi i Procedurës Penale të Kosovës. Këtu me një përjashtim, për shkak se një numër i dëshmitarëve do të kenë statusin e dëshmitarit të mbrojtur që i thonë anonim dhe ai do të dëshmojë, mirëpo zëri i tij, fytyra e tij nuk do të identifikohet për shkak të rrezikut që mund t’i ekspozohet nga personat e dyshuar ose persona të tjerë.
Sa mund të zgjasë kjo procedura e mbledhjeve të fakteve pas intervistimit?
Salihu: Pas intervistimit, kjo është procedurë para-penale, paraprake dhe procedura mund të zgjasë varësisht prej situatës, prej rastit konkret mund të zgjasë një javë, dy javë, një-dy muaj – aty nuk ka afat të caktuar. Ndërsa, kur të ngrihet akuza, atëherë janë afatet e caktuara me ligj.














