Prindon Sadriu, bashkëshorti i ish-Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit ka reaguar pas kërcënimeve me vrasje që Osmani i ka marrë sot përmes rrjeteve sociale.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se gjuha e urrejtjes nuk bie nga qielli por kultivohet.
“Kur eksponentë të lartë të partisë në pushtet normalizojnë gjuhën denigruese dhe fyese ndaj Presidentes Osmani për muaj me radhë, kur kjo gjuhë tolerohet, shpërblehet dhe ripërsëritet, nuk duhet habitur askush kur kjo spirale përfundon me kërcënime për vdekje. Pershkallezimi ka një logjikë të vet: nga fyerja te poshtërimi, nga poshtërimi te nxitja, nga nxitja te kërcënimi fizik. Tani e dimë të gjithë cili është hapi i radhës nëse institucionet nuk ndërhyjnë”, ka thënë Sadriu.
Ai e ka kritikuar edhe Policinë e Kosovës dhe drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxhën.
“Policia e Kosovës dhe Drejtori i saj kanë një detyrë kushtetuese. Por ajo detyrë nuk mund të kryhet me selektivitet sic është bërë gjatë 4-5 viteve të kaluara ndaj Presidentes Osmani. Paanshmëria institucionale nuk është vetëm standard etik, është edhe detyrim ligjor. Çdo rast i trajtuar me dy standarde është dëshmi se ligji nuk zbatohet në mënyrë të barabartë, dhe kjo vetëm e ushqen klimën ku kërcënimet lulëzojnë pa pasoja. Koha për shpjegime ka kaluar kaherë. Tani kërkohet veprim, për dy rastet e sotme dhe për të 40 rastet e hapura prej vitesh për të cilat Drejtoria e Pergjithshme e Policisë së Kosovës nuk ka lëvizur një gisht të vetëm për t’i adresuar e zbardhur ato”, ka shkruar Sadriu në Facebook. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: