Prindërit ankohen për tekstet shkollore: Paratë dolën me vonesë dhe nuk mjaftojnë për librat

Ndonëse viti i ri shkollor ka nisur, problemet me tekstet shkollore dhe pagesat për to po vazhdojnë në disa shkolla të Kosovës.
Prindërit e nxënësve të Shkollës Fillore “Selman Riza” në Fushë Kosovë kanë shprehur shqetësimin e tyre për vonesën e mjeteve nga Qeveria e Kosovës, ndërsa thonë se edhe pas ekzekutimit të pagesave, shuma e ndarë nuk është e mjaftueshme për të mbuluar koston e librave.
Një prind nga Fushë Kosova ka deklaruar për Indeksonline se mjetet janë ndarë me vones dhe se për disa klasë shuma e marrë nuk i mbulon të gjitha shpenzimet për tekstet shkollore.
“Paratë na dolën me vonesë, sot pasdite. Fëmijët këto ditë kanë shkuar në shkollë pa libra. Komplet klasa e djalit tim i cili është në klasen e shtatë në shkollën Selman riza në Fushë Kosovë, këto ditë kanë shkuar në shkollë pa libra. Por edhe kur dolën, nuk mjaftuan për t’i blerë librat. Për klasën e shtatë janë ndarë 90 euro, por librat kushtuan rreth 120 euro. Dallimin është dashur ta paguajmë vetë”, ka thënë prindi.
Probleme të ngjashme raportohet se kanë pasur edhe prindër në Prishtinë.

Lexo edheAhmeti mesazh Abdixhikut: Të dëgjosh para se të vendosh është parim i LDK
Një prind i një nxënësi të Shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë ka treguar për Indeksonline se ka përfituar vetëm 90 euro nga skema e pagesës për tekste shkollore, ndërsa për blerjen e librave ka shpenzuar rreth 120 euro.
“Kam marrë 90 euro, ndërsa librat për klasen e gjashtë më kanë kushtuar 120 euro. Pra, pjesën tjetër të shumës është dashur ta paguaj vetë”, ka deklaruar prindi.
Prindërit kërkojnë që institucionet përgjegjëse të rishikojnë shumën e mjeteve të ndara, pasi sipas tyre çmimi real i teksteve është dukshëm më i lartë se shuma që u është transferuar.
Ata gjithashtu kërkojnë që pagesat të realizohen me kohë, në mënyrë që nxënësit të mos e nisin vitin shkollor me vonesa dhe pa materialet e nevojshme për mësim./Indeksonline/.














