Prenga pas meçit me Joshuan: Nuk thyhem, do rikthehem fuqishëm!

Boksieri shqiptar Kristian Prenga ka reaguar pas humbjes me nokaut teknik në raundin e dytë ndaj ish-kampionit të botës në peshat e rënda, Anthony Joshua, në duelin e zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në Arabinë Saudite.
Përmes një mesazhi publik, Prenga e cilësoi përballjen me Joshua si një nga eksperiencat më të rëndësishme të karrierës së tij, duke shprehur respekt maksimal për kundërshtarin dhe fitoren e tij, shkruan Indeksonline
“Të ndaja ringun me një kampion si Anthony Joshua ishte një eksperiencë shumë e rëndësishme. Raundi i parë më tregoi se mund të përballemi me më të mirët, por në këtë nivel një sekondë ta ndryshon fatin”, shkroi Prenga.
Boksieri shqiptar theksoi se humbja nuk do ta dekurajojë, por do të shërbejë si motivim për të vazhduar rrugëtimin e tij në ring.

Lexo edheAl-Hilal përgatit ofertë gjigante për Diaz: 25 milionë euro në sezon, deri në 130 milionë euro për Bayernin
“Humbja të detyron të shihesh në pasqyrë dhe të mësosh atë që fitorja ta fsheh. Kjo ndeshje nuk më thyen. Do ta përdor këtë eksperiencë për t’u rikthyer shumë më i fortë”, u shpreh ai.
Në fund të reagimit, Prenga u kërkoi ndjesë tifozëve shqiptarë që nuk arriti t’u dhurojë fitoren, duke i falënderuar për mbështetjen dhe duke përmbyllur mesazhin me fjalët: “Faleminderit Zotit për çdo gjë. Zoti i bekoftë shqiptarët!”/Indeksonline/














