Policia sqaron: Gjobat pas protestës për vozitje të rrezikshme, jo për flamujt e UÇK-së

Policia e Kosovës, ka njoftuar se po vazhdon të angazhojë kapacitetet e veta njerëzore dhe logjistike në lidhje me paralajmërimet për mbajtjen e protestët sot në ora 21:00, në sheshin qendror të Prishtinës, për të kundërshtuar aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Përmes një komunikate, ata kanë thënë se ditëve të kaluara pas përfundimit të protestave të qeta në kryeqytet, një grup pjesëmarrësish, përfshirë personat me maska, po vazhdojnë protestimet e defilimet me automjete e tyre nëpër rrugët e kryeqytetit, duke vozitur në mënyrë të pa kontrolluar e të rrezikshme, duke dal e qëndruar nëpër dritare e mbi vetura, duke rrezikuar jetën e tyre dhe gjithë pjesëmarrësit e tjerë në trafik, përfshirë këmbësorët.
“Veprimet policore në teren siç kemi sqaruar në vazhdimësi kanë të bëjnë ekskluzivisht me parandalimin e ngasjes së rrezikshme e të pakontrolluar të disa automjeteve pas protestave, kan për qëllim mbrojtjen e jetës së këmbësorëve dhe garantimin e sigurisë në trafik për të gjithë pjesëmarrësit si dhe lehtësimin në qarkullim të trafikut në përgjithësi. Policia përgënjeshtron fuqishëm dezinformatat e shpërndara nga individë të caktuar në rrjetet sociale, se kinse po ndalohen, ndëshkohen apo po ushtrohet dhunë ndaj qytetarëve që mbajnë flamurin e UÇK-së në veturat e tyre”, ka njoftuar Policia.
Ata kanë thënë se nuk kanë ndaluar, ndëshkuar, e as ushtruar dhunë ndaj asnjë qytetari, për shkak të simboleve historike kombëtare apo simboleve të UÇK-së, por për shkak të shkeljeve ligjore.
“Garantimi i sigurisë për qytetarët, mbarëvajtja e protestës në mënyrë të qetë e të sigurt, menaxhimi i trafikut dhe parandalimi i vozitjeve të rrezikshme, janë detyrë e Policisë së Kosovës, e të cilat bëhen në interes të sigurisë së përgjithshme. Policia e Kosovës si çdo herë falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe mirëkuptim, njëkohësisht u bën thirrje qytetarëve dhe mediave që të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara, veçanërisht kur ato mund të ndikojnë në perceptimin e sigurisë dhe të krijojnë shqetësim të panevojshëm dhe dezinformim në opinion”, thuhet ndër të tjera në komunikatë. /Lajmi.net/

Lexo edhePas aktvendimit të Speciales, Musliu-Shoshi: Kosova dhe Shqipëria duhet të veprojnë bashkë, koha nuk pret
Postimi i plotë:












