Dy persona janë plagosur mbrëmjen e së enjtes në lagjen Matiçan të Prishtinës, ndërsa njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një sulmi të kryer nga një person i dyshuar, i cili më vonë është lokalizuar nga organet e rendit, transmeton lajmi.net.
Policia njofton se të lënduarit kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa njëri prej tyre vazhdon të jetë në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Edhe i dyshuari ka pësuar lëndime dhe po trajtohet nën mbikëqyrjen e policisë.
“Dy viktimat meshkuj kosovarë, kishin pësuar lëndime si pasojë e sulmit nga i dyshuari mashkull kosovar. Pas një kohe është lokalizuar i dyshuari i cili kishte pasur një plagë në këmbë dhe është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Në rast dyshohet se është përdorur një armë. Njëri nga viktimat dhe i dyshuari gjenden në QKUK nën mbikëqyrje të policisë për shkak të lëndimeve dhe sipas mjekut viktima është në gjendje të rëndë shëndetësore. Njësitë relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, është konfiskuar vetura në të cilën kishte ndodhur rasti. Me vendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Hetimet lidhur me rrethanat e rastit janë duke vazhduar./lajmi.net/