Rreshteri në Policinë e Kosovës, Shefki Spahiu ka vrarë me 17 mars Jetmir Aliajn, në vendin e tij të punës në Suharekë, por Spahiu tani po thuhet se ka akuza për dhunime seksuale dhe ishte i sëmurë, transmeton Gazeta Metro.
Kështu sot ka zbuluar në Kuvendin e Kosovës, deputeti nga radhët e PDK’së, Nait Hasani, ku tha se rreshteri Shefki Spahiu është i dyshuar për dhunime seksuale dhe i sëmurë.
Hasani këtë e ka zbuluar nga një porosi nga vëllai i të vrarit në kazino në Suharekë, ku tha se ai i ka treguar se rreshteri Spahiu ishte i shtrirë në Klinikën e Neurologjisë në Prishtinë, dhe që prapë i ishin besuar armët, transmeton Gazeta Metro.
“Kam një porosi nga vëllai i Jetmir Aliajt, ai më treguar se si polici Shefki Spahiu ishte i akuzuar për dhunime seksuale, policia e ka kthyer prapë në punë. Ai ishte edhe i shtrirë në Klinikën e Neurologjisë në QKUK, dhe prapë është pranuar si polic dhe i është besuar arma. Po të ishte dënuar ai për dhunime seksuale nuk do të ndodhte vrasja, dhe një i sëmurë është lejuar të jetë pjesë e Policisë së Kosovës. Ky është problemi”, ka thënë Hasani.
Ndërkaq, rreshteri Shefki Spahiu i cili po dyshohet nga Prokuroria se deri sa po plaçkiste një nga kazinotë në Suharekë, me armën e tij të tipit ‘Glock’ kishte qëlluar në kokë 32 vjeçarin Jetmir Aliajn në vendin e punës, ky i fundit madje kishte edhe mirënjohje nga Policia e Kosovës./gazetametro.net



