Një nxënëse nën moshën 16-vjeçare nga Drenasi, kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj për marrëdhënie seksuale. Por, në vend të gjetjes së ndihmës, ajo ka gjetur një “padron” skllavërues policor.
Pas marrjes së deklaratës, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe skspertizës mjekoligjore, hetuesi Vesel Veseli nën kërcënim dhe shantazh e kishte futur në dorë nxënësen. Pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vjet, vajza kishte mbetur shtatëzënë. Hetuesi, e kishte detyruar vajzën ta abortonte në klinikën e gjinekologut, Fehmi Ahmeti në Prishtinë. Historia e dhunës ka marrë fund të martën kur hetuesi është arrestuar. Prokuroria është informuar për rastin nga Insajderi.

Një javë më parë zëvendësshefi i hetimeve në Drenas, V. V. ka marrë mirënjohje nga eprorët e tij për punë të mirë si polic i Kosovës.
Por, në kohën e dhënies së kësaj mirënjohjeje, ai ka qenë duke shfrytëzuar si skllave seksi një nxënëse nga Drenasi.
50-vjeçari ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare për ta futur nën kontroll dhe për ta shfrytëzuar seksualisht një vajzë e cila sapo kishte mbushur 16 vjet.
V.V., e kishte njohur vajzën ditën që ajo kishte shkuar në stacionin policor në Drenas për ta denoncuar një mësues të saj për marrëdhënie seksuale. Viktima ishte nën moshën 16 vjeçare.
Prej asaj dite kishte nisur historia e dhunës, kërcënimeve dhe shfrytëzimit seksual të kësaj nxënëseje nga hetuesi policor.
Përveç dhunës së ushtruar mbi të. V. V., e ka detyruar vajzën të abortojë fëmijën e tyre nën kërcënim. Aborti i paligjshëm është kryer më 15 janar të këtij viti në ordinancën e gjinekologut Fehmi Ahmeti, në Prishtinë.
Insajderi, ka hulumtuar disa javë këtë rast në të cilin është implikuar Prokuroria e Shtetit. Pas informimit nga Insajderi, Prokuroria ka vepruar të martën duke bastisur dhe duke e arrestuar hetuesin policor.
Njëkohësisht, Prokuroria ka bastisur ordinancën e gjinekologut Ahmeti, i cili po dyshohet për kryerje të abortit të paligjshëm.
Si nisi historia e tmerrit për vajzën nga Drenasi?
Më 14 shtator 2016, hetuesi V. V., ishte në detyrë në Drenas. Aty ishte shfaqur një vajzë e mitur për të denoncuar një vepër penale të keqpërdorimit seksual duke përdorur pozitën zyrtare. Keqpërdoruesi ishte arsimtari i saj, Sh. Xh.,
Rasti i hapur në polici mbanë numrin 2017-AG-0643.
Hetimi kundër profesorit ishte udhëhequr nga rreshteri V. V. i cili e kishte intervistuar viktimën, duke e dëgjuar nga ajo gjithë ngjarjen. Hetuesi e kishte fotografuar të miturën kinse për nevoja të hetimeve.
Pas intervistimit, hetuesi V.V. e bashkë me kolegun e tij Azem Demaku., e kishte shoqëruar vajzën deri në shtëpinë e saj. Shoqërimi ishte bërë afër mesit të natës. Ndërkohë, ia kishte marrë numrin e saj të telefonit.
Sipas rrëfimit të viktimës, hetuesi gjatë rrugës e kishte provokuar vazhdimisht. I kishte thënë se posa të arrinte moshën madhore do ta ftojë që të dalë me të.
Lexo edheArrestohet polici në Drenas që shfrytëzoi seksualisht 16-vjeçaren dhe la shtatzënë

















