Debati për ekspozitën e Shkëlzen Gashit është hapur sot në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, duke nxitur përplasje mes deputetëve lidhur me mënyrën e trajtimit të kësaj çështjeje.
Deputeti Armend Zemaj deklaroi se tema është diskutuar më parë në publik dhe duhet të trajtohet në mënyrë institucionale, duke theksuar se nuk duhet politizuar.
Sipas tij, tashmë kanë dalë fakte dhe madje janë botuar libra për këtë çështje, prandaj duhet shmangur krijimi i pasojave të mëtejshme.
Në anën tjetër, deputetja Fatmire Kollçaku i është kundërpërgjigjur Zemajt, duke e pyetur nëse ka kërkuar përgjegjësi institucionale nga kryetari i Komunës së Prishtinës për lejimin e vendosjes së ekspozitës.
Ajo ngriti shqetësimin se nuk mjafton të thuhet se nuk është ditur autori, por duhet të jetë shqyrtuar përmbajtja e ekspozitës para vendosjes së saj.
Kollçaku gjithashtu e akuzoi Zemajn për politizim të çështjes dhe pyeti nëse ai ka kërkuar përgjegjësi institucionale, duke pasur parasysh se për rastin ekziston një proces hetimor.
Pas këtij debati, Zemaj u largua nga mbledhja, ndërsa Kollçaku reagoi duke i kërkuar të qëndrojë dhe të dëgjojë përgjigjet, duke theksuar se nuk ka çështje më të rëndësishme për t’u trajtuar në atë moment.
“Mos ik deputet ndëgjo përgjigje, nuk ki punë më të rëndësishme se këtu. “, përfundoi Kollçaku.