Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka në radhët e saj një “super-kursimtar”. Selajdin Syla, Zëvendësues i Udhëheqësit të Divizionit për Masa të Sforcuara, ka arritur të kursejë shuma që pothuajse kapin vlerën totale të të gjitha pagave të tij neto, duke ngritur dyshime të forta për burimin e vërtetë të këtyre parave.
Pas denoncimit të bërë nga Gazeta Insajderi më 9 janar 2025, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka kryer një kontroll të plotë të pasurisë. Rezultati? Rasti është dërguar zyrtarisht në Prokurorinë e Shtetit më 4 korrik 2025, për shkak të dyshimeve të bazuara për raportim të rremë ose mosraportim të pasurisë.
Denoncimi i Insajderit dhe “zhbllokimi” i hetimit nga APK
Hulumtimi për zyrtarin Selajdin Syla nuk nisi rastësisht. Më 9 janar 2025, Gazeta Insajderi i ishte drejtuar Antikorrupsionit me një listë të detajuar gjetjesh për disa zyrtarë të ATK-së. Në shkresën e gazetës drejtuar Agjencisë, ne ngritëm alarmin se si zyrtarë me paga modeste shtetërore kishin arritur të akumulonin shuma të majme parash të gatshme, të cilat në kushte normale ekonomike do të ishin të pamundura të kursenisheshin.
Në fokus të veçantë ishte Selajdin Syla, Zëvendësues i Udhëheqësit të Divizionit për Masa të Sforcuara. Insajderi i kishte vënë në dispozicion Agjencisë analizën e formularëve të tij ndër vite, ku vërehej një rritje konstante e llogarive bankare që nuk përkonte me trendin e shpenzimeve të një familjeje kosovare. Pyetja jonë ishte e thjeshtë, por e drejtpërdrejtë: A i ka nënshtruar Agjencia këta zyrtarë “kontrollit të plotë” dhe si shpjegohet që një zyrtar që fiton 817 euro në muaj, deklaron mbi 35 mijë euro kursime personale dhe mbi 32 mijë euro të bashkëshortes?
Pas pranimit të këtyre informacioneve, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit nuk qëndroi duarkryq. Në përgjigjen zyrtare që Agjencia i ktheu Gazetës Insajderi, konfirmohej se mbi bazën e të dhënave të Insajderit, ishte iniciuar menjëherë procedura e kontrollit të plotë të pasurisë për subjektin në fjalë. Ky proces, i cili zgjati disa muaj, përfshiu verifikimin e çdo transaksioni, llogarie bankare dhe pasurie të paluajtshme të deklaruar nga Syla dhe familja e tij e ngushtë.
Në letrën e fundit njoftuese, të cilën Agjencia e ka protokolluar më 4 korrik 2025 dhe ia ka dërguar gazetarit Visar Duriqi, thuhet qartë se hetimi administrativ ka prodhuar rezultate konkrete. APK njoftoi se, pas analizimit të dëshmive të ofruara nga vetë zyrtari (i cili u përpoq t’i arsyetonte paratë me qira dhe ndihma nga diaspora), Agjencia ka hasur në “dyshime të bazuara”. Kjo frazë ligjore shënoi edhe fundin e kompetencës së Agjencisë dhe fillimin e përgjegjësisë penale.
Ajo që e bën edhe më serioz rastin e Sylës është fakti se, në të njëjtën letër njoftuese, Agjencia bëri me dije se ka mbyllur rastet për disa zyrtarë të tjerë të denoncuar nga Insajderi, si A.M e A. K., pasi nuk ishin gjetur elemente të mjaftueshme për procedim tutje. Mirëpo, për Selajdin Sylën, gjetjet ishin aq komprometuese saqë lënda e tij nuk u arkivua, por u dërguanë Prokurorinë e Shtetit. Kjo dëshmon se “arsyetimet” e zyrtarit për kursime nga qiratë e padeklaruara nuk kanë pirë ujë para inspektorëve të Agjencisë.
Arsyetimi i “diasporës” dhe “qirasë” që nuk ekziston në letra
I ballafaquar me pyetjet e APK-së se si është e mundur që me një pagë prej 817 eurosh të kursehen dhjetëra mijëra euro, Syla ka ofruar një arsyetim të ri: ai ka thënë se nuk e prek pagën e tij sepse jeton nga qiraja e një prone dhe nga ndihmat e familjarëve në diasporë.
Megjithatë, hulumtimi i Insajderit mbi formularët zyrtarë të nënshkruar nga vetë Syla, nxjerr në pah një mospërputhje flagrante:
Në seksionin e të hyrave vjetore për vitet 2022, 2024 dhe 2025, Syla ka deklaruar 0.00 euro nga qiraja.
Asnjë kontribut financiar nga familjarët jashtë vendit nuk është pasqyruar në deklarimet e tij zyrtare ndër vite.
Në çdo formular, ai ka specifikuar si burim të vetëm të parave të gatshme (cash) në bankë: “Kursimet(Paga në ATK)”.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Insajderi, Selajdin Syla ka deklaruar:
35,900.00 Euro para të gatshme në Raiffeisen Bank.
32,704.42 Euro para të gatshme në emër të bashkëshortes në NLB Bank.
Në total, çifti Syla ka deklaruar mbi 68 mijë euro kursime cash. APK ka konstatuar se subjekti nuk ka ofruar dëshmi bindëse se si janë krijuar këto kursime, duke pasur parasysh shpenzimet e jetesës dhe të hyrat reale të deklaruara.
“Subjekti deklarues dyshojmë se nuk e ka deklaruar pasurinë në pajtim me legjislacionin dhe nuk ka ofruar dëshmi bindëse për shpenzimet dhe të hyrat e tjera”, thuhet në shkresën e APK-së drejtuar Prokurorisë.
Përderisa zyrtarë të tjerë të ATK-së që ishin pjesë e hulumtimit të Insajderit kanë arritur t’i mbyllin rastet e tyre rasti i Selajdin Sylës ka kaluar në nivel penal.
Mungesa e deklarimit të qirave dhe ndihmave financiare në formularët e pasurisë, ndërsa ato përdoren si arsyetim vetëm pasi fillon hetimi, dyshohet se së paku përbën shkelje të ligjit për deklarimin e pasurisë. Tashmë i mbetet Prokurorisë së Shtetit të zbardhë nëse këto kursime janë vërtet “nga diaspora” apo rrjedhin nga burime të tjera të padeklaruara brenda institucionit ku ai punon.