“Përdorte të birin për të kontaktuar Mustafën” – Prokuroria nxjerr udhëzimet që pretendon se Thaçi ia dha Fazliut

Prokurori i Specializuar ka vazhduar të argumentojë se biseda mes Hashim Thaçit dhe Fazli Fazliut lidhej drejtpërdrejt me dëshminë e Remi Mustafës dhe mënyrën se si ajo do të zhvillohej në Hagë.
Sipas Prokurorisë, gjatë bisedës, Fazliu konfirmoi se nuk do ta kontaktonte drejtpërdrejt Mustafën, por se për organizimin e një takimi do të përdorte djalin e tij, Fahriun, raporton lajmi.net.
Prokurori ka thënë se Thaçi u pajtua me këtë mënyrë veprimi dhe theksoi se Fazliu nuk duhej të ishte personi që do ta kontaktonte drejtpërdrejt dëshmitarin, duke nënvizuar, sipas tij, rëndësinë e përdorimit të një ndërmjetësi tjetër.
Më pas, sipas Prokurorisë, Thaçi dha një tjetër udhëzim, i cili kishte të bënte me seancën përgatitore të dëshmitarit dhe me atë që Mustafa duhej të bënte gjatë kësaj seance.
Prokurori ka pretenduar se në rreth dy minuta e gjysmë të bisedës, Thaçi i kishte bërë të qarta udhëzimet e tij ndaj Fazliut.
Sipas tij, Thaçi i tha Fazliut që të përdorte të birin për të organizuar një takim me Mustafën dhe që gjatë këtij kontakti t’i përcilleshin atij udhëzime se si të sillej gjatë seancës përgatitore.

Lexo edheAKB mbështet marshin e 12 shtatorit, bën thirrje për pjesëmarrje masive
Prokuroria ka pretenduar se në këtë bisedë përmendej edhe mënyra se si duhej të përgjigjej dëshmitari, përfshirë përdorimin e përgjigjeve të shkurtra si “po” dhe “jo”, si dhe përgatitjen e tij në mënyrë që të shmangej, sipas Prokurorisë, “rrëshqitja” gjatë dëshmisë.
Sipas argumentimit të prokurorit, kjo pjesë e bisedës është veçanërisht domethënëse pasi, sipas tij, tregon se diskutimi mes Thaçit dhe Fazliut nuk kishte të bënte vetëm me informacione për dëshmitarin, por edhe me mënyrën se si ai duhej të sillej gjatë procedurave në Hagë.
Këto janë pretendime dhe argumente të Prokurorisë të paraqitura gjatë deklaratave përfundimtare. Vlerësimi i provave dhe vendimi përfundimtar i takon trupit gjykues. /Lajmi.net/












