28 orë incizime të Thaçit në 9 vizita, Prokuroria ngre pretendime për udhëzime ndaj dëshmitarëve

Prokurori i Specializuar ka vazhduar paraqitjen e argumenteve në deklaratat përfundimtare në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke ngritur pretendime për ndërhyrje te dëshmitarët dhe pengim të procesit gjyqësor.
Prokuroria ka argumentuar se vendimet e mëhershme të vazhdimit të paraburgimit e kishin konsideruar Thaçin si rrezik për ndërhyrje te dëshmitarët dhe pengimin e procesit gjyqësor.
Sipas Prokurorisë, në këtë çështje gjyqësore janë pranuar rreth 28 orë incizime të Thaçit, të realizuara gjatë nëntë vizitave të ndara përgjatë një periudhe katërmujore. Prokurori ka theksuar se pesë prej këtyre vizitave përfshinin biseda të Thaçit me bashkëakuzuar në këtë çështje.
Prokuroria ka pretenduar se përmbajtja e incizimeve është veçanërisht e rëndësishme për argumentin e saj kundër Thaçit dhe bashkëakuzuarve.
Sipas argumentimit të Prokurorisë, gjatë këtyre vizitave Thaçi fillimisht diskutonte me zë normal për tema të përditshme, ndërsa më pas ulte zërin dhe pëshpëriste, duke dhënë, sipas saj, udhëzime konkrete lidhur me atë se çfarë duhej t’u thuhej dëshmitarëve.

Lexo edheProkurorja e specializuar për Thaçin: U përpoq ta pengonte procesin, u kap me shumë orë incizime
Prokurori ka pretenduar se kjo mënyrë komunikimi ishte përsëritur gjatë disa muajve dhe se udhëzimet e Thaçit kishin një model të ngjashëm, për të cilin Prokuroria pretendon se synonte zbehjen e akuzave, përfshirë akuzën numër gjashtë.
Këto pretendime janë pjesë e argumenteve të Prokurorisë në deklaratat përfundimtare. Vendimi përfundimtar lidhur me përgjegjësinë penale të Thaçit dhe të bashkëakuzuarve do të merret nga trupi gjykues. /Lajmi.net/












