PDK dhe AAK kërkojnë qasje institucionale ndaj raportit për Specialen

Në tryezën e diskutimit për prezantimin e Raportit ex officio të Avokatit të Popullit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, dhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, kanë folur për gjetjet e raportit dhe nevojën për një qasje institucionale ndaj tyre.
Tahiri tha se raporti nxjerr në pah, sipas tij, probleme serioze lidhur me shkeljen e të drejtave të katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Ne sot jemi dëshmitarë të një raporti që sjell në pah disa probleme serioze me shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj katër çlirimtarëve tanë. Koha kur ne flasim emocionalisht ka përfunduar, është koha kur Kosova prezanton vendimet e veta në evidencë”, tha Tahiri.
Ai kërkoi që institucionet ta trajtojnë me seriozitet raportin, ndërsa si dy momente të rëndësishme i veçoi raportin e Avokatit të Popullit dhe vendimin e Kuvendit për Ligjin për Specialen.
Tahiri foli edhe për Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ai mund të rishikohet pas 11 vitesh.
“Kosova, 11 vjet pas, ka të drejtë ta rishikojë në aspektin e standardeve një ligj i cili nuk është libër i shenjtë, por një ligj që e ka bërë Qeveria”, u shpreh ai.

Lexo edheSHBA-ja nuk ndryshon qëndrim për Dialogun Strategjik me Kosovën
Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, gjatë së njëjtës tryezë, falënderoi Avokatin e Popullit për raportin, të cilin e cilësoi si të nevojshëm.
“Dua të falënderoj Avokatin e Popullit për një raport tejet të nevojshëm. Ne kemi një vendim për dënimin e katër të UÇK-së, por çfarë ne shohim dhe flasim janë shkelje serioze dhe në fund ka derivuar që vendimi është marrë në emër të popullit të Kosovës”, tha Deliu-Kodra.
Ajo paralajmëroi se për këtë çështje do të flasë edhe në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.














