Qindra e mijëra turistë nga Kosova, në këto dite vere i’a kanë mësyer bregdetit shqiptar, për t’i kaluar pushimet atje.
Por fillimi i pagesës së taksës rrugore prej 5 euro për vetura, për kalimin përgjate Rrugës së Kombit, për të shkuar deri në bregdet, tash e një vit nga institucionet shqiptare, po vazhdon të ngjallë reagime të shumta, si te qytetarët, ashtu edhe tek bizneset.
Kryeministri Edi Rama, vënjen e taksës rrugore e dhënjen në koncesion për 30 vite të autostradës tek një kompani turke dhe dy shqiptare, e kishte arsyetuar me idenë, se ajo po vendoset për të siguruar mjete per mirëmbajtje të rrugëve, por, në Shqipëri tash e disa vjet ekziston një tarifë prej 27 lekë për çdo litër naftë, e cila shkon për mirëmbajten e rrugëve.
Rama e ka lidhur pagesën e kësaj takse edhe me patriotizëm, duke thënë se “në kohë paqeje patriotizëm është të paguash taksat”.
Nga Kosova, këto ditë të sezonës turistike, sipas Policisë së Kosovës, brenda 24 orëve, kufirin Kosovë-Shqipëri e kalojnë rreth 9 mijë vetura.
Në një përllogaritje të thjeshtë, këto 9000 vetura për kalim në “Rrugën e Kombit” dhe kthim prapa në Kosovë, duhet të paguajnë 10 euro taksë rrugore(vajtje-ardhje), e që i bie që rreth 90 mijë euro çdo ditë, e rreth 8 milionë euro, vetëm për tre muaj të sezonës verore, duke mos përfshirë këtu autobusët, është kostoja që paguajnë kosovarët për kalim në këtë autostradë.

Tarifa prej 5 euro për çdo kalim, për veturat e vogla dhe mbi 10 euro për autobusët dhe kamionët, e cila ka filluar të zbatohet qe nga viti i kaluar, nuk po shihet si e drejtë as nga njohësit, pasi në mungesë të rrugëve alternative, tarifat në këtë aks rrugor përbëjnë shkelje të së drejtës së lëvizjes së lirë.
Njohësi i çështjeve ekonomike Agon Nixha, për “Syri.Net Kosova”, thotë se është e qartë se secila autostradën ka nevojë për mirëmbajtje, por në rastin e “Rrugës së Kombit”, megjithatë, rrethanat janë më ndryshe dhe kësisoj bëjnë që tarifat e vendosura të mos jenë të arsyeshme.
“Njëra nga praktikat më të shpeshta ndërkombëtare për të siguruar mjete që nevojiten për mirëmbajtjen e autoudhave është vendosja tarifave të caktuara për udhëtarët të cilët i shfrytëzojnë ato. Në rastin “Rrugës së Kombit”, megjithatë, rrethanat janë më ndryshe dhe kësisoj bëjnë që tarifat e vendosura të mos jenë të arsyeshme”
Ai shton, se në mungesë të rrugëve alternative, tarifat në këtë aks rrugor përbëjnë shkelje të së drejtës së lëvizjes së lirë dhe së dyti, normat tarifore për kilometër janë më të larta se në vende tjera të rajonit dhe në shumë vendeve të BE-së.
Sipas Nixhës, kjo ngreh dyshime për vetë qëllimin e kësaj tarife, pasi në Shqipëri veçse ekziston një tarifë prej 27 lekë për çdo litër naftë, që është vendosur pikërisht për të siguruar mjete për mirëmbajtje të rrugëve.
“Tarifat e vendosura duket të kenë pasur ndikim në numrin e hyrjeve nga Kosova në Shqipëri. Sipas Instatit, në muajin e parë të hyrjes së tyre në fuqi, numri i hyrjeve të kosovarëve është ulur për 11%, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.
Ndryshe, ditëve të fundit është diskutuar po ashtu edhe për vendosjen e një takse rrugore edhe ne autostradën Ibrahim Rugova.
“Syri.Net Kosova”, ka provuar të marrë përgjigje nga Qeveria e Kosovës, mirëpo nuk ka marrë përgjigje zyrtare.
Një tarifë eventuale në autostradën “Ibrahim Rugova”, për të cilën po flitet, sipas Nixhës do ta rëndojë edhe më tej lëvizjen e ndërsjellë Kosovë-Shqipëri.
“Duke parë këtë situatë, është e nevojshme që autoritetet e dy vendeve të ulen dhe koordinohen në zhvillimin e një sistemi tarifor të përbashkët, gjithsesi të arsyeshëm dhe pa pasoja në lëvizje të lirë të qytetarëve, si dhe njëkohësisht të punojnë në ndërtimin e rrugëve alternative” shton Nixha.
Por për analistin Flamur Bunjaku, qytetarët e Kosovës nuk guxojnë që të marrin si të mirëqenë gënjeshtrën se autostradat paguhen në çdo vend në botë.
“Në vendet demokratike vetëm autostradat e dhëna me koncesion para ndërtimit të tyre janë me pagesë. Autostradat e Kosovës, janë ndërtuar nga mjetet e taksa-paguesve të Kosovës. Rrjedhimisht, çfarëdo pagese do të ishte barrierë në qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve dhe do të zvogelonte rendimentin ekonomik të Kosoves, pasi që do të rriste koston. Për më tepër, qytetarët e Kosovës paguajnë taksë rrugore kur regjistrojnë veturat”.
Sipas Bunjakut, mirëmbajtja e autostradave mund të bëhet siç praktikohet edhe tash, duke ju dhënë tender kompanive të caktuara për këtë shërbim.
“Koncesioni për autostradë për koncesionar privat ka kuptim nëse koncesionari ndërton atë rrugë. Në të kundertën nuk ka kurrfarë logjike dhe duhet të kundërshtohet fuqishëm. Kosova mund të aplikoj ndonjë pagesë (vinjet) për qytetarët e huaj që shfrytëzojnë autostradat e Kosovës, siç ndodh në Bullgari dhe në shumë vende të tjera”
Ndryshe, ishte kryeministri në largim Ramush Haradinaj, ai i cili publikisht kishte kërkuar që Shqipëria ta heqë taksën në “Rrugën e Kombit”.
“E lus presidentin t’i kërkojë Edi Ramës t’ia nisë prej hapit të parë. Ta heqë taksën, skanerin. T’ia nisim kështu bashkimin. Unë jam për një bashkim konkret e jo të fjalëve të mëdha. I kisha lutur të gjithë të bëjmë kujdes: Që të mos shkojnë fjalët para punëve”, ka thënë Haradinaj në televizionin publik.
Kundër taksës, kishte dalur edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Sipas tij, taksa që i paguhet prej shumës 10 euro për hyrje-dalje, është e turpshme.
“Unë mendoj se Rruga e Kombit për misionin e saj të madh duhet të ishte rruga e vetme në të cilën kurrë nuk duhej vendosur taksë apo tarifë. Kjo është taksë e turpshme që shqiptarët e Kosovës duhet të paguajnë për të vizituar Shqipërinë dhe anasjelltas. mendoj se kritikat janë shumë me vend. Padyshim Rruga e Kombit duhet mirëmbajtur, por disa të dhëna tregojnë se Shqipëria siguron nga kjo rrugë mbi 300 milionë euro në vit nga qytetarët e Kosovës”, ka thënë Berisha.
Ndryshe,i sh-deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, se po vjedh me anë të koncesionit të mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit. Shehaj ka publikuar një dokument, sipas së cilit, “vërteton se kompania koncesionare ka fituar rreth 10 milionë euro, para këto të marra qytetarëve”.
“Shqipëria nuk është e varfër, por vidhet çdo ditë nga Rama dhe klientët e tij. Ky është bilanci i kompanisë që ka me koncesion mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit. Vetëm për vitin 2018, kompania ka fituar rreth 10 milionë euro. Para që u janë marrë qytetarëve nga taksa e kalimit, por edhe nga Buxheti i Shtetit. Trau në Rrugën e Kombit është vendosur në Shtator të 2018 dhe ortakët e Kompanisë do fusin në xhep 10 milionë euro vetëm në 3 muaj e gjysëm punë, me një marzh fitimi prej afro 40%


