Trajneri i Dukagjinit, Arsim Thaqi nesër synon për vitin e dytë radhazi trofeun e Kupës së Kosovës.
Thaqi vitin e kaluar triumfoi sa ishte trajner i Prishtinës, derisa tani synon të përsëritë këtë sukses, ku nesër mbrëma do të luaj finalen ndaj skuadrës së Ferizajit.
Ai në një intervistë për IndeksOnline ka thënë se fitimi i Kupës së Kosovës me Prishtinën ishte një nga momentet më të veçanta në karrierë dhe do të ishte edhe më e veçantë nëse arrin ta fitoj edhe me skuadrën e Dukagjinit.
‘’Fitimi i Kupës së Kosovës sezonin e kaluar me Prishtinën ka qenë një nga momentet më të veçanta në karrierën time. Ishte rezultat i një pune të madhe dhe një emocioni që do të mbetet gjithmonë në kujtesën time. Tani, me Dukagjinin, kemi një tjetër mundësi të rëndësishme dhe natyrisht do të ishte shumë e veçantë për mua që ta fitoj këtë trofe për të dytin vit radhazi.’’, ka deklaruar Arsim Thaqi për IndeksOnline.
Ai foli për rrugëtimin e këtij sezoni, duke thënë se ishte e vështirë të arrinte deri në finale, pasi mposhti në gjysmëfinalen tre herë kampionin e Kosovës, Ballkanin në të dy ndeshjet.
‘’Rruga deri në këtë fazë ka qenë shumë e vështirë. Edhe pse unë e kam udhëhequr Dukagjinin vetëm në dy ndeshjet gjysmëfinale kundër Ballkanit, që padyshim ka qenë një kundërshtar shumë i fortë dhe ndeshjet kanë qenë me presion të madh, ekipi ka treguar karakter, disiplinë dhe besim. Pikërisht këto cilësi na kanë sjellë deri këtu.’’, tha Thaqi për IndeksOnline.
‘’Cima’’ foli edhe për ndeshjen finale ndaj Ferizajit, ku thotë se nuk ka favoritë por beson te skuadra e tij ku thotë se ekipi është i motivuar për këtë sukses historik dhe shpreson që futbollistët të japin maksimumin nga minuta e parë e deri në fund.
Po ashtu Arsim Thaqi tha se nëse arrit në fitojë Kupën e Kosovës me Dukagjinin, do të ishte një krenarie e madhe për të personalisht, por edhe për klubin, presidentin, lojtarët dhe tifozët.
‘’Pres një ndeshje shumë të fortë ndaj Ferizajit. Në finale të tilla nuk ka favoritë, sepse luhet vetëm një ndeshje. Në këto përballje vendosin detajet, prandaj duhet të jemi maksimalisht të fokusuar dhe të japim maksimumin nga minuta e parë deri në fund.
Ekipi është shumë i motivuar. Lojtarët e dinë rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe e shohin si një mundësi për të shkruar historinë për klubin. Motivimi dhe atmosfera brenda ekipit janë në nivelin më të lartë.
Nëse arrijmë ta fitojmë përsëri Kupën e Kosovës, do të ishte një krenari shumë e madhe për mua personalisht, por mbi të gjitha për klubin, presidentin, lojtarët dhe tifozët. Do të ishte shpërblimi më i mirë për gjithë punën dhe sakrificën gjatë gjithë sezonit, si dhe një motiv shtesë për të vazhduar të punojmë edhe më shumë në të ardhmen.’’, ka deklaruar Arsim Thaqi për IndeksOnline.
Finalja mes Ferizajt dhe Dukagjinit zhvillohet të ejten nga ora 20:00, në stadiumin ”Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Intervistë e realizuar nga gazetari, Gjelbrim Shabani.