BallinaLajmePapa Françesku dërgon mesazh nga shtrati i spitalit

Papa Françesku dërgon mesazh nga shtrati i spitalit

Papa Françesku po merr ende oksigjen, por nuk ka pësuar krizë të mëtejshme, kanë thënë burimet e Vatikanit.

Burimet shtuan se Papa po ha normalisht dhe se testet klinike janë ende duke u bërë.

88-vjeçari ndodhet në spitalin Gemelli të Romës për më shumë se një javë, pasi po trajtohet për pneumoni të dyfishtë dhe bronkit kronik.

 

Gjatë mëngjesit të sotëm, në përditësimin e tij të fundit që kur Papa u pranua në spital më 14 shkurt, Vatikani tha se ai kishte kaluar një “natë të qetë”.

Vatikani tha se nuk do të kryejë lutjet e së dielës për të dytën javë rresht, duke shtuar: “Papa pushoi mirë”.

Në vend të kësaj, Françesku, i cili ka udhëhequr Kishën Katolike që nga viti 2013, përgatiti fjalë për t’u lexuar në recitimin e Engjëllit të së dielës, duke u kërkuar njerëzve të luten për të.

“Po vazhdoj me besim shtrimin në spitalin Gemelli, duke vazhduar trajtimin e nevojshëm, dhe pushimi është gjithashtu pjesë e terapisë! Falënderoj sinqerisht mjekët dhe punonjësit shëndetësorë të këtij spitali për vëmendjen që po më tregojnë dhe përkushtimin me të cilin kryejnë shërbimin mes të sëmurëve”, tha ai në mesazhin e tij nga shtrati i tij spitalor, i lëshuar nga Vatikani të dielën, transmeton klankosova.

 

“Në ditët e fundit kam marrë shumë mesazhe dashurie dhe veçanërisht më kanë emocionuar letrat dhe vizatimet e fëmijëve. Faleminderit për këtë afërsi, dhe për lutjet ngushëlluese që kam marrë nga e gjithë bota! Ju besoj të gjithëve në ndërmjetësimin e Marisë dhe ju kërkoj të luteni për mua”.

Burimet e Vatikanit thanë se mesazhi është shkruar gjatë ditëve të fundit.

- Advertisement -