Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit politike në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e respektimit të rendit kushtetues dhe funksionimit demokratik të institucioneve.
OVL-UÇK ka vlerësuar se çdo veprim që ngre dyshime për tejkalim të kompetencave apo cenim të Kushtetutës duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë institucionale dhe në përputhje me ligjin, raporton lajmi.net
Poatimi iplotë:
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së po i përcjell me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet e fundit politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
OVL UÇK vlerëson se respektimi i rendit kushtetues dhe funksionimi demokratik i institucioneve janë themeli i shtetit tonë. Çdo veprim apo proces që ngjall dyshime për tejkalim të kompetencave apo cenim të Kushtetutës duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë institucionale dhe në përputhje me ligjin.
Duke pasur parasysh se përgjegjësia kryesore për funksionimin e institucioneve i takon shumicës parlamentare, kërkojmë që ajo të veprojë me maturi, përgjegjësi dhe në përputhje të plotë me rendin kushtetues, duke siguruar procese të rregullta dhe gjithëpërfshirëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Çdo veprim i njëanshëm apo që cenon frymën e bashkëpunimit institucional rrezikon stabilitetin demokratik dhe besimin e qytetarëve në shtetin tonë.
Veteranët e luftës për liri do të qëndrojnë gjithmonë në mbrojtje të rendit kushtetues, të shtetit ligjor dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, të ngritura mbi sakrificën e popullit tonë dhe luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Lajmi.net/