Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje mes Korporata Energjetike e Kosovës dhe KESCO, sipas së cilës nuk do të ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026.
Në një videomesazh të publikuar në Facebook, ajo theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e mirëpret këtë marrëveshje, e cila bazohet në raportin konsultativ të Zyra e Rregullatorit për Energji.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret marrëveshjen mes KEK dhe KESCO, e cila do të mundësojë që, sipas raportit konsultativ të ZRRE-së, të mos kemi rritje të tarifave të energjisë elektrike”, ka deklaruar Rizvanolli.
Ajo gjithashtu falënderoi të gjitha palët e përfshira për angazhimin, duke theksuar se investimet në KEK do të vazhdojnë gjatë këtij viti në të dy termocentralet, me synim rritjen e prodhimit dhe zgjatjen e jetëgjatësisë së tyre. Sipas saj, kjo bëhet duke ruajtur përballueshmërinë e çmimeve për qytetarët dhe bizneset.
Për këtë marrëveshje ka njoftuar edhe KEK, duke bërë të ditur se është arritur një mekanizëm për profilizimin e kostove, i cili parasheh riprogramimin e obligimeve për periudhën janar–mars 2026. Ky hap synon shmangien e ndikimit të menjëhershëm në tarifa dhe garantimin e stabilitetit në sektorin energjetik.
Marrëveshja pritet të ndikojë pozitivisht në mbrojtjen e konsumatorëve dhe në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në vend. /Lajmi.net/