Vjosa Osmani, ka uruar qytetarët me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit.
Sipas Osmanit, 12 Qershori është dita kur lotët e dhimbjes nisën t’i lëshojnë vend shpresës. Më tutje Osmanit thotë se Kosova do të vazhdojë të ecë përpara e lirë, e pavarur, sovrane, e përjetshme.
Postimi i plotë:
Qofsh përjetë e bekuar, Kosova jonë e dashur
12 Qershori është dita kur lotët e dhimbjes nisën t’i lëshojnë vend shpresës. Dita kur Kosova filloi të marrë frymë e lirë. Dita kur ëndrra e shumë brezave për liri u bë realitet.
Kjo është dita kur mbi tokën e djegur e të stërvuajtur të Kosovës zbarkoi shpresa. Dhjetëra mijëra ushtarakë të shteteve të NATO-s hynë në Kosovë, duke sjellë dritë në vend të errësirës së pafund që përjetonte populli ynë prej shekujsh.
Sot, me dhimbje e krenari, kujtojmë bijat dhe bijtë më të mirë të këtij vendi, dëshmorët e UÇK-së të prirë nga Kryekomandanti Adem Jashari, si dhe martirët e lirisë që dhanë jetën që ne të jetojmë të lirë. Kujtojmë familjet që sakrifikuan gjithçka, të mbijetuarit që bartën plagët e luftës dhe të gjithë ata që nuk u dorëzuan kurrë përballë padrejtësisë.

Në këtë ditë të shenjtë shprehim mirënjohjen e pafund për vizionin e Atit Themeltar të Republikës sonë, Presidentit Rugova, i cili në kohët më të rënda të historisë sonë diti të ndërtojë aleanca që na u gjendën pranë në ditët më të vështira. Mirënjohja e popullit te Kosovës për aleatët e lirisë do të mbetet e përjetshme.
Kosova do të vazhdojë të ecë përpara e lirë, e pavarur, sovrane, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët dhe martirët e lirisë, vizioni i Presidentit Rugova dhe aleatët që na qëndruan në krah./Indeksonline/