Prokuroria Speciale e Kosovës, sot më 9 qershor ka zhvilluar dy operacione në dy raste të ndara kundër krimit të organizuar, ku ka njoftuar se janë arrestuar tetë persona.
Ata kanë thënë se gjatë operacioneve, janë sekuestruar prova relevante që do të shërbejnë gjatë procedurave penale.
“Në rastin “White Star”, u arrestuan pesë persona, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar;blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave. Ndërsa, në rastin e dytë i koduar me emrin “Mega”, tre personat e arrestuar dyshohen për: Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar;Financim i terrorizmit; Shpëlarje e parave; Mashtrim; Detyrim; Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse;Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analogeve të tyre”, thuhet në njoftim të PSRK-së.
Ata kanë thënë se janë mbështetur rastet hetimore nga institucione ndërkombëtare të drejtësisë, që në vazhdimësi ka thënë se bashkëpunojnë ngushtë me Prokurorinë Speciale të Kosovës, si
FBI, Europol, autoritetet policore të Belgjikës, Francës, Holandës dhe Kanadasë (RCMP), si dhe OPDAT nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara.
“Prokuroria Speciale është e angazhuar në luftimin e krimit të organizuar dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për garantimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve”, thuhet mes tjerash në komunikatë. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: