Pesë javë pas vënies së gur themelit nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe bashkëpunëtorët e tij, njëra nga dy urat e reja që po ndërtohen mbi lumin Ibër – i cili ndan Mitrovicën e Jugut me Mitrovicën e Veriut, ka marrë formë të dukshme.
Më 4 gusht, aty u panë punëtorë dhe makineri të rënda, përfshirë buldozerë që po vazhdonin punimet.
Qeveria në detyrë premton se ndërtimi i urës do të përfundojë deri në muajin shtator.

Kjo urë, e dedikuar për automjete, duket se është në fazën përfundimtare të ndërtimit.
Këtë e konfirmuan edhe zyrtarët.
“Tani na ka mbetur edhe betonimi i pllakës dhe shtresa e asfaltit”, bëri të ditur më 3 gusht zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Deri vonë, Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, synonte hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.
Ditën kur u vendos gur themeli, Kurti tha se urat e reja synojnë ta lehtësojnë qarkullimin dhe të nxisin bashkëpunim mes qytetarëve në të dyja anët e lumit.

Ura për këmësorë ende larg ndërtimit
Në të njëjtën ditë, më 1 korrik, gur themeli iu vendos edhe një ure tjetër, e cila parashihet të jetë më e vogël dhe vetëm për këmbësorë.
Por, punimet në këtë urë nuk kanë ecur me ritmin e njëjtë, si ato në atë të dedikuar edhe për trafik.

Përveç këtyre anësoreve të betonit, aty nuk është ndërtuar asgjë tjetër.
Edhe për këtë urë, Qeveria ka premtuar se do të finalizohet në shtator.

Por, zhvillimi i punimeve për projektin e ndërtimit të urave të reja, që kap vlerën e rreth tre milionë eurove, është shoqëruar me reagime të ashpra politike dhe hetime ligjore.
Projekti është vënë nën hetim nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të mundshëm të fondeve publike në procesin e lidhjes së kontratës me kompaninë përkatëse.
Më 10 korrik, Prokuroria konfirmoi zyrtarisht se autorizoi Policinë e Kosovës për të hetuar mënyrën e lidhjes së kontratës për këtë projekt, por nuk ka ndarë informacione të tjera.

Urat, një për automjete dhe tjetra për këmbësorë, janë pjesë e një projekti të infrastrukturës publike që synon të forcojë lidhjen ndërmjet Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, qytet i ndarë etnikisht që nga paslufta.
Video nga arkivi: Si e pritën qytetarët ndërtimin e urave të reja?

Projekti ka ngjallur reagime edhe në nivel lokal, veçanërisht nga komuniteti serb në Mitrovicën e Veriut.
Lista Serbe ka drejtuar kritika ndaj Qeverisë për “mungesë konsultimi me qytetarët lokalë”.
Ky subjekt politik organizoi një peticion, në të cilin u nënshkruan mbi 3.500 qytetarë serbë të komunave veriore të Kosovës.
Nënkryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, më herët i tha REL-it se, megjithëse projekti është i domosdoshëm në aspektin urban, sipas tij, “momentumi nuk ishte i duhur”.
Çka thonë qytetarët për urat e reja?
Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë mbetet e mbyllur për qarkullim, pavarësisht se ishte rikonstruktuar vite më parë.
Rivitalizimi ka qenë pjesë e marrëveshjes së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe ka pasur për qëllim rivitalizimin e urës si një hap simbolik dhe praktik drejt normalizimit të situatës në Mitrovicë të veriut dhe lëvizjes së lirë.
Edhe sot, mbi urë qëndron pandërprerë një automjet me pjesëtarë të karabinierëve italian.

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, Mitrovica është përballur me tensione dhe ndasi të thella etnike ndërmjet komunitetit shqiptar në jug dhe atij serb në veri.
Shumica e ndërhyrjeve infrastrukturore që prekën zonat ndarëse apo të përziera etnikisht kanë nxitur tensione si në jug ashtu edhe në veri. /REL