10 ditë pa u bërë 3 muaj, një prej anëtarëve më të ri të Nisma’s Socialdemokrate të Fatmir Limajt, Resul Sinani, është rehatuar në Ministrinë që udhëhiqet nga kjo parti.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që udhëhiqet nga Shyqiri Bytyqi i Nismas, do ta ketë si zyrtar edhe gazetarin e njohur Resul Sinani, pak muaj pasi ky i fundit iu bashkua kësaj partie, shkruan gazetametro.net.
Metro mëson se Sinani e ka marrë postin qe pak ditë, mirëpo kjo gjë akoma nuk është bërë publike nga Ministria. Posti që do ta mbajë ish-moderatori i lajmeve në RTK, do të jetë si zyrtar i lartë i politikave të Arsimit.
Gazeta ka kontaktuar me Ministrinë që udhëhiqet nga Bytyqi për të konfirmuar emërimin e Sinanit në këtë post, mirëpo nuk i kanë hapur telefonët. Metro ka kontaktuar edhe ministrin Bytyqi por ky i I fundit ka hezituar të përgjigjet. Njëlloj përgjigja ka munguar edhe në porosi të shkruara në numrin e tij.
Sinani, ndërkaq, është njohës i fushës së Arsimit. Qe disa vite ai është profesor në Kolegjin privat AAB. Sinani njihet kryesisht si moderator i lajmeve.
Ndryshe, ish-gazetari Resul Sinani aderoi në Nisma Socialdemokrate më 26 shkurt. Po atë ditë dha lajmet e fundit, ku u shfaq i emocionuar që po braktiste moderimin për një parti politike./gazetametro.net


