Nga Rugova te Shiroka-Pula: Kush e ka drejtuar Kosovën nga posti i presidentit?

Me zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në krye të shtetit, Kosova tashmë ka pasur shtatë presidentë të zgjedhur që nga krijimi i institucioneve të pasluftës.
Rrugëtimi presidencial nisi me figurën e Ibrahim Rugovës dhe ka kaluar nëpër periudha të ndryshme politike, mandate të plota e të ndërprera, si dhe disa raste kur posti i presidentit është ushtruar përkohësisht.
Ibrahim Rugova – presidenti i parë

Ibrahim Rugova ishte presidenti i parë i zgjedhur i Republikës së Kosovës. Ai mori detyrën në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh në vitin 2004.
Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit, në një ceremoni ku morën pjesë mijëra qytetarë.
Një vit pas vdekjes së tij, presidenti Fatmir Sejdiu e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”.
Fatmir Sejdiu – në krye të shtetit deri më 2010

Pas vdekjes së Rugovës, Fatmir Sejdiu u zgjodh president më 10 shkurt 2006, me dy të tretat e votave të deputetëve.
Ai qëndroi në këtë pozitë deri më 27 shtator 2010, kur dha dorëheqje nga posti i presidentit.
Gjatë viteve në vijim, Sejdiu u nderua me disa tituj dhe çmime ndërkombëtare, përfshirë titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti Shtetëror i Tiranës dhe Universiteti Shtetëror i Sakaryas.
Behgjet Pacolli – mandati më i shkurtër

Behgjet Pacolli u zgjodh president më 22 shkurt 2011. Megjithatë, mandati i tij zgjati vetëm disa javë.
Më 30 mars 2011, Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetuese mënyrën e zgjedhjes së tij, duke bërë që ai të largohej nga posti.
Atifete Jahjaga – gruaja e parë presidente

Pas Pacollit, në krye të Kosovës erdhi Atifete Jahjaga. Ajo u zgjodh presidente në vitin 2011 dhe e mbajti këtë post deri në vitin 2016.
Jahjaga ishte gruaja e parë që u zgjodh presidente e Kosovës dhe në kohën e zgjedhjes së saj ishte ndër gratë më të reja në botë që drejtonin një shtet.
Hashim Thaçi – president deri në vitin 2020

Lexo edheHamza: Kuvendi e ka kryer punën e vet me votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara

Hashim Thaçi u zgjodh president më 26 shkurt 2016 dhe e mori zyrtarisht detyrën pas betimit më 7 prill të po atij viti.
Para presidencës, Thaçi kishte mbajtur poste të rëndësishme politike, përfshirë atë të kryeministrit, ndërsa ishte një prej figurave kryesore të procesit që çoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Ai dha dorëheqje nga posti i presidentit më 5 nëntor 2020, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Vjosa Osmani – presidentja e dytë grua

Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Kosovës më 4 prill 2021. Para kësaj, ajo kishte shërbyer si kryetare e Kuvendit dhe si deputete për disa mandate.
Osmani ishte gjithashtu ushtruese e detyrës së presidentes pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, nga nëntori i vitit 2020 deri në zgjedhjen e saj në postin e presidentes.
Mandati i saj pesëvjeçar përfundoi më 4 prill 2026.
Justina Shiroka-Pula – presidentja e shtatë

Më 7 tetor 2026, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Justina Shiroka-Pulën presidente të Republikës së Kosovës.
Me këtë zgjedhje, ajo u bë presidentja e shtatë e zgjedhur e vendit dhe presidentja e tretë grua pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmanit.
Shiroka-Pula, akademike dhe ish-përfaqësuese politike, mori 81 vota në Kuvend gjatë procesit të zgjedhjes.
Kush e ka ushtruar përkohësisht detyrën e presidentit?
Përveç presidentëve të zgjedhur, gjatë periudhave të ndryshme Kosovën e kanë drejtuar përkohësisht edhe ushtrues të detyrës së presidentit.
Jakup Krasniqi e ushtroi këtë funksion nga shtatori i vitit 2010 deri në shkurt të vitit 2011.
Glauk Konjufca e ushtroi detyrën nga 22 marsi deri më 4 prill 2021, pas përfundimit të mandatit të tij si kryetar i Kuvendit.
Ndërkaq, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit më 4 prill 2026, detyrën e presidentes e ushtroi përkohësisht Albulena Haxhiu, deri në zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës./Lajmi.net/












