Nuk janë të pakta familjet që paguhen çdo muaj nga buxheti i shtetit, falë familjarëve të tyre që dikur mbanin pozita të rëndësishme. Rifat Jashari, Fana Rugova dhe bashkëshortja e Adem Demaçit, janë vetëm disa prej tyre. Përveç mjeteve financiare, atyre u lejohet të kenë edhe nga një veturë dhe shofer, shkruan Gazeta Express
Presidenca, Qeveria, Ministria e Kulturës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ndajnë çdo muaj para për familjen e Presidentit Historik, Ibrahim Rugovës.
Në listën e pagave që marrin anëtarët e familjes Rugova, së fundi ka hyrë edhe bashkëshortja e ish-Presidentit, Fana.
Gjithë kjo pas vendimit të Kryeministrit Ramush Haradinaj, që Fana Rugovës t’i ndahen mjete financiare në vlerë prej 1 mijë euro çdo muaj.
Por, jo vetëm kaq.
Me vendimin e të parit të ekzekutivit, asaj i lejohet që te këtë edhe një automjet dhe një drejtues automjeti, i cili do të jetë në shërbim të saj.
“Znj. Fana Rugova, bashkëshorte e Presidentit Historik Dr.Ibrahim Rugova, i lejohet transfer i mjeteve financiare në muaj në vlerë prej 1,000.00 (njëmijë) euro neto, automjet dhe një drejtues automjeti, i cili do të jetë në shërbim të saj”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Haradinaj më 4 dhjetor 2018, i cili u përcoll me shumë kritika.
Por, Fana Rugova nuk është e vetmja së cilës i ndahen mjete financiare nga Qeveria e Kosovës. Në një listë me të hyjnë edhe Rifat Jashari, Nexhmie Pagarusha, dhe bashkëshortja e Adem Demaqit.
Gazeta Express ka siguruar vendimet e Qeverisë së Kosovës, në bazë të së cilave atyre u ndahen mjete financiare në shumë prej 500 deri në 1 mijë euro, si dhe benefite të tjera.
Sipas këtyre vendimeve, përveç mjeteve financiare atyre u lejohet që të kenë në dispozicion edhe nga një automjet dhe drejtues të automjetit që do të jetë në shërbim të tyre.
Kështu Rifat Jasharit “i njihet status i Qytetarit me merita të veçanta për konsolidimin e Shtetit të Kosovës.”
Atij me vendim të kryeministrit “i transferohen mjete financiare në shumë prej 1000 euro në muaj, automjet dhe një drejtues automjeti i cili do të jetë në shërbim të tij dhe mbështetje tjetër që kërkohet nga Zyra e Kryeministrit”.
Shumë e njëjtë parash i ndahet për çdo muaj edhe bashkëshortes së Adem Demaqit.
“Bashkëshortes së Z. Adem Demaçit, simbol i rezistencës në Kosovë, i lejohet transfer i mjeteve financiare mujore, në vlerë prej 1.000 (njëmijë) Euro(neto), automjet dhe një drejtues i automjetit, i cili do të jetë në shërbim të tij”, thuhet në vendimin e Qeverisë.
Edhe këngëtares Nexhmije Pagarusha i transferohen para çdo muaj në emër të kontributit të saj, ani pse në shumë më të vogël.
“Znj. Nexhmije Pagarusha, i transferohen mjete financiare në shumë prej 500 (pesëqind) euro në muaj në llogarinë e saj personale”, thuhet në vendimin e 2 tetorit të këtij viti./Gazeta Express