Napoli dhe Roma ishin mes klubeve që tentuan të nënshkruajnë me mesfushorin e Manchester United, Kobee Mainoo, këtë verë, sipas raportimeve nga Anglia.
Sipas Daily Mail, dyshja e Serie A iu bashkua interesimit të ekipeve si Tottenham, Marseille, Everton dhe Aston Villa, por u refuzuan pasi skuadra e Ruben Amorim nuk pranoi të hapte mundësinë e një huazimi për lojtarin.
Mainoo përfundimisht qëndroi te United, por e ardhmja e tij është vënë në pikëpyetje, pasi Amorim ka pasur vështirësi ta përshtasë rregullisht mesfushorin e talentuar anglez në sistemin e tij.
Si Napoli, ashtu edhe Roma kanë shtuar numrin e lojtarëve të marrë nga Premier League në vitet e fundit.
Këtë verë, Roma finalizoi huazimet me opsion ose detyrim blerjeje të Evan Ferguson dhe Leon Bailey, si dhe nënshkroi Kostas Tsimikas në huazim të drejtpërdrejtë – të gjithë nga kampionati anglez.
Ndërkohë, Napoli bëri dy goditje të bujshme këtë verë: nënshkroi Kevin De Bruyne si lojtar të lirë nga Manchester City dhe mori në huazim Rasmus Hojlund nga Manchester United. Këtyre u shtohen edhe afrimet e verës së kaluar, si Romelu Lukaku, Scott McTominay dhe Billy Gilmour, të cilët gjithashtu lanë Anglinë për të luajtur në Itali./GazetaExpress/