Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci i është drejtuar Prokurorisë Speciale lidhur me procesin e e zgjedhjes së Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës.
Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.
Ajo ka thënë se Prokurorinë e ka informuar se personat e dyshuar, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore, kanë kryer disa vepra penale.
Postimi i plotë:
Ashtu siç kam paralajmëruar dy ditë më parë, sot përmes një shkrese i jam drejtuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me ç’rast e kam njoftuar për shkeljet ligjore dhe kam kërkuar fillimin e procedurës penale në lidhje me procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës.
Ndër të tjera, Prokurorinë e kam informuar se personat e dyshuar, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore, kanë kryer së paku këto vepra penale:
-Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas Nenit 414, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës;
-Cenimi i të drejtave në marrëdhëniet e punës, sipas Nenit 218 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës;
-Bashkëkryerja, sipas Nenit 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në bazë të raporteve dhe dokumenteve zyrtare të pranuara deri më tani, është konstatuar se kemi të bëjmë me veprime të kundërligjshme me qëllim të përfitimit të pozitave të caktuara dhe beneficioneve të pozitës, duke mos respektuar dispozitat ligjore në fuqi dhe në tejkalim të autorizimeve dhe kompetencave ligjore.
Pres që ky rast të trajtohet me seriozitetin e duhur nga organet kompetente dhe që përgjegjësit të përballen me drejtësinë në përputhje me ligjin.
Si Ministri e Arsimit, mbesim të përkushtuar fuqishëm ndaj respektimit të legjislacionit, transparencës dhe parimit të meritokracisë./Indeksonline/