Mustafi: Propaganda për “Shqipërinë e Madhe” përdoret për të fshehur diskriminimin

Ragmi Mustafi, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës dhe njëherësh këshilltar politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve serbë dhe figurave politike që, sipas tij, rikthejnë propagandën për kinse projektin e “Shqipërisë së Madhe”.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se brenda pak ditësh janë dëgjuar disa deklarata propagandistike me të njëjtën narrativë.
“‘Shqipëria e Madhe’. E njëjta propagandë. Të njëjtët autorë”, ka shkruar ai, duke përmendur deklaratat e Snezhana Paunoviq, e cila sipas tij ka deklaruar se, po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, si dhe reagimin e Ivica Daçiqit, i cili, sipas Mustafit, e ka relativizuar dhe mbrojtur atë deklaratë.
Ai ka përmendur edhe ministrin Demo Berisha, të cilin e cilëson si “ministri i vetëdeklaruar shqiptar” dhe ish-oficer i Ushtrisë së Serbisë, duke thënë se në një intervistë për agjencinë Tanjug ka akuzuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, deputetin Shaip Kamberi dhe vetë Mustafin për promovimin e “Shqipërisë së Madhe”.
Sipas Mustafit, bëhet fjalë për të njëjtin skenar propagandistik që është përdorur prej dekadash.

Lexo edheHelmimet në Kosovë, nutricionistja: Temperaturat e larta shtojnë bakteret në ushqim
Ai rikujtoi se akademiku Fehmi Agani, që në maj të vitit 1991, kishte argumentuar se “Shqipëria e Madhe” nuk ishte projekt politik i shqiptarëve, por një etiketë e përdorur për të fshehur diskriminimin dhe për t’i paraqitur kërkesat për barazi si kërcënim.
“Kanë kaluar 35 vjet. Ka rënë Millosheviqi. Por propaganda ende flet me zërin e tij. Barazia nuk është ‘Shqipëri e Madhe’. Të drejtat nuk janë kërcënim. Propaganda nuk bëhet e vërtetë, sado herë të përsëritet”, ka përfunduar Mustafi.














