Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në mbledhjen komemorative të mbajtur me rastin e vdekjes së intelektualit të shquar, Ramiz Kelmendi.
Fillimisht, kryeministri Mustafa bëri homazhe pranë arkivolit, duke u shprehur ngushëllime familjarëve për humbjen e njeriut të tyre të dashur, i cili dha kontribut të madh për zhvillimin e gazetarisë, krijimtarisë letrare dhe fushave të tjera të dijes, artit e kulturës në Kosovë.
Në këtë mbledhje komemorative, përveç familjarëve, miqve dhe bashkëveprimtarëve të shumtë të Ramiz Kelmendit, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, atyre fetare dhe qytetarë të shumtë.
Me këtë rast,Mustafa çmoi lartë figurën e Ramiz Kelmendit, duke e vlerësuar atë si një intelektual erudit që dha kontribut në letërsi, kulturë dhe në çështjen kombëtare.
Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa:
E nderuar familje e madhe Kelmendi,
I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Veseli,
E nderuara presidente Jahjaga,
Të nderuar miq, shokë, kolegë dhe bashkëveprimtarë të shumtë të Ramiz Kelmendit, studentë të tij,
Të nderuar Migjen, Visar, Nita dhe anëtarë të tjerë të Familjes,
Të nderuar të pranishëm,
Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të intelektualit të shquar të Kosovës, Ramiz Kelmendi.
Kosova ka humbur një njeri të dijes, një shkrimtar të dalluar, një simbol të gazetarisë kulmore të Kosovës.
Kam pasur fatin që ta njoh personalisht Ramizin, duke pasur kënaqësinë që të shkëmbejë me të mendime dhe pikëpamje për shumë zhvillime në Kosovë në faza të ndryshme dhe shumë delikate gjatë disa dekadave.
Prandaj, e kam të vështirë që me pak fjalë të përshkruaj përshtypjet që më ka lënë ai me idetë, mendimet dhe mënyrën brilante të shtjellimit të tyre.
Por, mund të them se Ramiz Kelmendi do të mbahet mend si një intelektual erudit, i cili ka dhënë kontribut të shquar në zhvillimin e gazetarisë, krijimtarisë letrare dhe fushave të tjera të kulturës në Kosovë.
Andaj, ndarja nga jeta e Ramiz Kelmendit është humbje e madhe për gazetarinë, për letërsinë, për artin, kulturën dhe për të gjitha fushat e dijes dhe veprimtarisë intelektuale në Kosovë.
Të gjithë qytetarët e Kosovës përveç dhimbjes së pashmangshme duhet të ndihen krenarë që patën një profil të tillë të intelektualit, i cili në familjen e tij la pas vetes pasardhës model të gazetarisë, kulturës, ekonomisë dhe fushave të tjera të jetës.
Ndërkaq, shoqëria kosovare do t’i jetë gjithmonë mirënjohës për kontributin e tij në letërsi, në kulturë, në nxjerrjen e brezave të tërë të gazetarëve të rinj përmes Fakultetit “Faik Konica” dhe për kontributin e tij për çështjen kombëtare.
Zoti e bekoftë Ramiz Kelmendin!
Zoti e bekoftë Kosovën!
Ngushëllime të gjithëve!




